26 Janar, 2023 - 1:08 pm
Nga Naime Beqiraj
Dy herë e kisha parë. Një herë në Korzon e Pejës duke ecur në drejtim të Grykës së Rugovës. I gjatë, i hollë, i drejtë… Mund të jenë ndoshta njëzet vjet, ose edhe më shumë. I kisha parë pikturat e tij, jo aq shpesh sa kisha lexuar për të por më shumë kisha dëgjuar rrëfimet e përshtypjet e piktorëve e artistëve të Pejës që në rininë time të hershme për dy pejantë e famshëm në Paris: Daut Berisha dhe Ehat Musa. Kisha lexuar një poezi brilante të Sabri Hamitit për Berishën, kisha dgjuar rrëfimet e Ibrahim Rugovës për miqësinë e tyre që nga fëmijëria, vizitat dhe ndejat e gjata në studion e piktorit në Paris. E atë ditë vere në Pejë, teksa e shihja me ecjen gracioze, mu hidh me i dal para e me e lut për një intervistë kur të ketë mundësi. Mu duk vetja e pa përgatitur, ndaj hezitova. Po të më thoshte: po, urdhëro gazetare e re. Unë e papërgatitur…
Kisha folur vite më pas me kolegen time Fellanxën dhe djalin e saj Nak Berisha (nipi) të cilit piktori i kishte vënë emrin dhe më kishin premtuar që në rastin e parë kur Berisha vjen në Kosovë ta realizojmë intervistën pasi të isha përgatitur mirë. Ajo intervistë nuk u realizua asnjëherë dhe më vjen shumë keq.
Herën tjetër, para 17 vitesh në ngricë janari. Prisnin në radhë në ambientet e Kuvendit të Kosovës për t’i bërë nderim Presidentit Rugova. Daut Berisha para nesh i shoqëruar nga ish deputetja Samije Zeqiraj. Në duar mbante lule të freskëta. Policja që fliste në gjuhën serbe, e ndaloi. Kurse dy gra të ish ministrave me minifunde së bashku me burrat e tyre, edhe ato me lule, por u lejuan. Berisha ju drejtua polices por ajo serbisht as nuk deshti me e ndëgju. Ndërhyra për t’i treguar kush ishte ky njeri. Piktori u kthye pas. U mundua t’i përmbajë lotët. Policja me arrogancë i tha përsëri serbisht: nuk lejohen me lule. Piktorit i mbeti fjala në grykë. Mu duk se e pashë portretin e tij Gjergj Kastriotit të cilin ja kishte dhuruar Presidentit Rugova nën kronizën e thellë të të cilit spikacnin sytë shprehës. Piktori kishte ardhur nga Parisi për ta nderur mikun e rinisë e të fëmijërisë dhe me hiret e kryeqytetit botëror të artit, ishte përulëse që bashkë me trupin e shpirtin të vendoseshin lulet. Nuk mund të bëja një hap para e të lija pas njeriun që zihej në shpirt nga ky refuzim. Me dhimbjen për humbjen e Presidentit dhe me lotët që mundohej t’i përbinte Daut Berisha, rëndesa e ditës ishte dyfishuar.
Daut Berisha, pa bujë, pa ceremoni shterpe, i vetmuar, ashtu siҁ ishte tërë jetën – eci drejt amshimit. Ne do të jemi më të varfër pa peshën artistike të këtij njeriu. Kush ja diti vlerën do ta mbajë në shpirt pengun: si nuk ju organizua një ekspozitë, nuk ju shpreh mirënjohje as në Prishtinë, as në Pejë. Asgjë nuk bëmë për këtë njeri të madhe. Jemi mosmirënjohës. Nuk e di nëse e kemi merituar në artin e kulturën tonë një vlerë si Daut Berisha./ KultPlus.com