13 Dhjetor, 2024 - 1:31 pm
Mirëmbajtja dhe kujdesi ndaj trashëgimisë kulturore është pjesë e përditshme e punës në Muzeun Kombëtar të Ikonografisë “Onufri”.
Restauratori i Muzeut “Onufri”, Erion Lezi ka kryer procesin e konsolidimit të pikturës murale në hapësirën e katit të sipërm në Muzeun “Onufri”.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau në rrjetet sociale momente nga puna për konsolidimin e pikturës.
“Në pikturë paraqitej plasaritje jo kritike të murit mbi të cilin është realizuar piktura e shek. XIX-XX. Injektimi i konsolidantit nëpër plasaritje dhe mbushja e xhepave bosh parandalojnë dëmtimin nga faktorë të ndryshëm dhe e bëjnë jetëgjatë këtë pasuri kulturore”, tha Demo.
Koleksioni i Muzeut Kombëtar “Onufri” përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike.
Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë./atsh/KultPlus.com