20 Shtator, 2022 - 3:21 pm
”Description de I’Egypte”, një nga koleksionet e rralla në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë u ekspozua sot në hapësirat e Teatrit të Operas dhe Baletit, në kuadër të Javës së Kulturës së Egjiptit, në prani në ministres së Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti dhe homologes së saj egjiptiane, Nevin El Kilany.
E konsideruar si një prej arritjeve të mëdha jo vetëm shkencore por edhe artistike të kohës, kjo vepër që përmban 844 gravura, vepër e disa prej artistëve më të njohur të kohës, ushtroi ndikim të madh në mbarë Europën.
Në fakt, ajo shënon jo vetëm fillimin e egjiptologjisë si disiplinë shkencore, por njëkohësisht edhe lindjen e pasionit për artin e Egjiptit të lashtë, në mbarë botën perëndimore.
Për vetë cilësinë e jashtëzakonshme tipografike, bukurinë dhe përmbajtjen e saj, kjo vepër e famshme përbën një nga perlat e koleksionit të botimeve të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Me të 11 vëllimet e saj, që sillen në këtë ekspozitë mbulohen aspekte nga më të ndryshmet të Egjiptit të lashtë e të Egjiptit modern. Kjo është hera e parë që ky koleksion i prezantohet publikut shqiptar. /atsh / KultPlus.com