Destan dhe Barbara Gashi vijnë me ekspozitën e përbashkët ‘Mermer dhe ngjyra’

28 Shkurt, 2018 - 10:26 pm

Skulptori Destan Gashi dhe piktorja Barbara Gashi do të hapin ekspozitën e radhës, me punime në skulpturë dhe në pikturë.

Për një muaj rresht, në Galerinë e Forumit Rathaus në Knittelfeld të Austrisë, do të prezantohen piktura me ngjyra të ndritshme nga Barbara Gashi dhe skulptura origjinale të punuara nga mjeshtri i madh i skulpturës, Destan Gashi.

Zemrën e ekspozitës e përbën vepra “Puthje” e punuar prej mermerit të qytetit Sölk në Steiermark të Austrisë. Format sensuale, rrumbullake dhe të prekshme e ftojnë adhuruesin e artit që t’i prekë veprat e Destan Gashit, të cilat janë kthyer në vepra arti origjinal pas gëdhendjes, formimit, lëmimit dhe ilustrimit me një punë të palodhshme tash e sa muaj, shkruajnë mediat austriake, përcjell “albinfo.ch”.

Skulpturat tjera, duke respektuar tërësisht traditën e skulptorit, janë skulptura nudo prej mermerit të Carraras. Disa vepra po ashtu të punuara në mermer, e kanë prejardhjen nga një gurore e vogël e Republikës së Kosovës, atdheut të skulptorit shqiptar.

Çifti i njohur Destani kanë thënë se janë të lumtur që përsëri u jepet mundësia të hapin një ekspozite në Steinmark, ku të dy tashmë janë të njohur për shumë dashamirës të artit dhe koleksionistë privatë, njofton “albinfo.ch”.

Destan Gashi është i lindur në Kosovë dhe ka diplomuar në shkollën e artit “Odhise Paskali”. Më pas ai ka studiuar për pikturë dhe skulpturë në Akademinë e Arteve në Bruksel.

Bashkëshortja e tij, Barabara Gashi jeton dhe punon prej vitit 1987 si artiste e pavarur sërish në Vjenë. Artistja austriake, ashtu sikur bashkëshorti i saj, Destani, ka studiuar për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel. Gjithashtu, edhe ajo ka ekspozuar veprat e saj brenda dhe jashtë shtetit. / KultPlus.com

Të ngjajshme