6 Nëntor, 2020 - 9:58 pm
Suada Qorraj
Në shoqëritë patriarkale për gratë, vendi i vetëm i rezervuar është kuzhina dhe dija e vetme që ato pritet të kenë janë recetat e po asaj kuzhine, mirëpo jo çdo herë recetat që srviren janë të bëra nga gratë, është pikërisht dhuna ajo që në këto shoqëri sërviret vetëm për gratë. Ekspozita personale “Recetë Kuzhine”, e artistit Arianit Beqiri ngritët pikërisht mbi këtë temë, dhunën, si një nga recetat e vetme të kuzhinës, përbërja e së cilës dihet vetëm nga burrat, shkruan KultPlus.
“Në mbrëmje gardiani i fikë dritat. Nesër, orari i zgjimit është i ditur nga zilja që bie. Jo rrallëherë gjërat duket se në shtëpi lëvizin “vetë”. Nëse në mëngjes e hapim stufën e shohim bosh, në mbrëmje “vetvetiu” ajo është e mbushur”, është kjo vetëm një pjesë e shkurtër e përshkrimit të ekspozitës “Recetë Kuzhine”, hapja zyrtare e së cilës do të duhej të bëhej sot është shtyrë për të hënën si pasojë e ndryshimit të fundit të masave AntiCovid , shkruan KultPlus.
Artisti dhe njëherësh autori i kësaj ekspozite, Arianit Beqiri në një intervistë për KultPlus ka treguar se janë pikërisht gjërat që e preokupojnë atë gjatë përditshmërisë dhe gjërat që ai beson se duhet të jenë ndryshe, që kanë zënë vend në artin e tij.
“Gjërat që më kanë preokupuar gjatë përditshmërisë, gjërat që unë besoj se duhet të jenë në një formë më ndryshe, ose të shtjellohen më gjatë, i kam transformuar ose i kam prezantuar në formën time artistike, nëpërmjet ekspozitave të mija që njerëzit kur të vijnë të marrin pak nga ajo se çka unë mendoj për një temë të caktuar”, ka thënë Beqiri.
Tutje artisti ka pohuar se dy ekspozitat e tij të fundit, “Emrat të cilët mungojnë” dhe “Recetë Kuzhine” kanë bazë të njëjtën pikë, dhunën në familje. Sipas tij ekspozita e parë lidhej me faktin që çdo vrasje e grave harrohet brenda pak ditësh, kurse emri i saj nuk përmendet më, ndërkaq kjo e fundit vjen si një avancim i mëtutjeshëm i kësaj teme.
“Dy ekspozitat e fundit flasin për dhunën në familje, njëra është “Emrat të cilët mungojnë” dhe kjo e dyta “ Recetë Kuzhine”. Ekspozita e parë lidhet me faktin që kur vriten gratë, duhen tre ditë që ajo temë të kaloj në heshtje. Por as shteti nuk merr masat e duhura për këtë çështje, kurse për shoqërinë disi tashmë bëhen të kuptueshme, mirëkuptohen, kalon, janë vra gjithmonë dhe kështu kalon si temë. Për këtë arsye kam dashtë me avancu ekspozitën duke sjellur kështu “Recetë Kuzhine”, shtoi ai.
Arianit Beqiri ka treguar se ekspozita e tij ka në fokus mendësinë e shoqërisë patriarkale rreth njohurisë që një grua duhet të ketë për recetat që gatuhen në kuzhinë. Sipas tij në kuzhinë nuk prodhohet vetëm ushqim por edhe dhunë, e recetën e kësaj të fundit e dinë vetëm burrat.
“Në ekspozitën ‘Recetë Kuzhine’, shfaqen dy gjëra, një është shoqëria patriarkale, se çka presin prej një gruaje është të jetë në kuzhinë dhe t’i dijë të gjitha recetat e kuzhinës dhe e dyta ajo se çka i servojnë gruas nuk janë receta kuzhine, por dhune. Pra kuzhina ka prodhuar dy receta, atë të dhunës dhe të ushqimit. Ndonëse receta për ushqim dihet më shumë nga gratë, recetën e kuzhinës që prodhon dhunë, pa hezitim mund të them që në tërësi e dinë vetëm burrat”, deklaroi artisti.
Beqiri shpreson që ekspozita e tij të krijoj një ndjenjë parehatie për ata që e vizitojnë. Sipas tij, mbase për dikë ekspozita e tij nuk do të thotë më shumë se veç disa vepra arti, por dikush tjetër mund të jetë duke e përjetuar dhunën që trajtohet në të. Ai ka shtuar se nuk mendon se dikush që ushtron dhunë është në gjendje ta eleminojë atë nga një ekspozitë e vetme, sepse për ta është i nevojshëm vetëm dënimi.
I pyetur se sa kohë i është dashur deri në përfundimin e kësaj ekspozite si dhe gjetjen e temës, Arianit Beqiri ka thënë se ekspozitat që i ka krijuar deri më tani, përfshirë edhe këtë të fundit nuk kanë ndodhur në periudha afat shkurtra. Sipas tij për një ekspozitë atij i është dashur rreth dy vite që të bëjë formësimin e idesë finale.
“Unë mbajë një bllok tërë kohën me vete dhe i shkruaj idetë që më vinë, ta zëmë e shkruaj konceptin, mediumin dhe formën se si do të realizohet. Asnjë ekspozitë që e kam bërë nuk është aty për aty, që ka ndodhë brenda një kohe të shkurtër, mesatarisht secila ide ka qenë diku një ose dy vjet e vjetër që unë kam menduar rreth saj dhe e kam ndryshuar dhe formësuar gjatë kohës”, ka deklaruar për KultPlus artisti.
“Recetë Kuzhine” vë në pah anën më të errët të shoqërisë, duke sjellur realitetin që është pjesë e përditshmërisë të shumicës së grave në Kosovë, dhunën në muret ku ajo është e supozuar të ndihet e sigurtë. E dhuna jo rrallë herë vie pikërisht nga ata që ju besohet lumturia, ata me të cilët edhe ndërtohet jeta. E për Arianit Beqirin ideja se dikush arrin të dashurohet me armikun, është e pakuptimtë dhe për të dënimi kundrejt këtyre personave është diçka për të cilin nuk duhet as të diskutohet.
“Tash merre me mend, ti martohesh me një njeri dhe gjatë jetës e kupton se personi me të cilin ti bie në dashuri, realisht është armiku yt. Po kjo s’ka sens, ti realisht nuk martohesh me armikun, nuk martohesh me dikë që duhet me të mbyt. Nuk mundesh me i thënë viktimës me vendos kurorë ose me u dashuru me xhelatin, kjo nuk ka sens. E për këtë arsye përveç dënimit, që s’ka diskutim, sepse përveç një jetës së humbur është edhe një dashuri e humbur. Prandaj duhet edhe ndërgjegjësimi nëpërmjet të cilit ti duhet ta kuptosh se nuk mbytet një njeri në familje, jo kaq thjeshtë”, tha ndër të tjera artisti. / KultPlus.com