13 Nëntor, 2018 - 10:35 pm
Jeta Zymberi
Disa gjëra nganjëherë nuk donë koment, e të tilla janë kreacionet e fundit të disenjatores Diana Qerimi, shkruan KultPlus.
Një frymë ndryshe ka arritur ta sjellë në vendin tonë Diana, me kreacionet e saj që sigurisht janë ndryshe. Ndryshimi qëndron pikërisht në mënyrën e dizajnit, në përshtatjen e ngjyrave dhe materialeve, në përshtatjen e kompletit e në prerjen e tyre.
Disenjatorja Qerimi ka arritur të ngjitet në shkallët më të larta të botës së modës në vendin tonë, edhe atë më hapa të shpejtë. Secila shkallë ishte ndoshta më e vështirë se tjetra por ajo arriti t’i kapërcejë sigurt dhe të qëndrojë lart me synimin që e mira nuk ka fund.
“Sigurisht që kur punon shumë dhe me shumë përkushtim puna gjithmonë të shpërblehet, jam e lumtur që në rrethin e shumë dizajnerëve vendas të veçohem për stile unike”, ka pohuar Qerimi për KultPlus.
Në koleksionin e fundit të cilin Diana e solli këto ditë, ka shumë elemente që të bëjnë për vete, por ngjyrat vjeshtore e ato verore të sjella në kombinim, bashkë me aksesorët shumë të veçantë, bëjnë që të dashurohesh në secilën veshje.
“Gjithmonë frymëzimin e gjej në trendet e fundit, nga vendet që vizitoj dhe njerëzit që takoj dhe gjanat e bukura që rrethohem. Koleksionin e vjeshtës dhe dimrit kësaj here e veçojnë ngjyrat pak më të ndezura se herëve tjera , logo DQ e vendosur në pah ndryshe nga herët tjera që vendoset gjithmonë në brendi, kombinimi i materialeve me katrore , pika dhe printa po gjithashtu edhe aksesorët e bukur të dizajnuar me Vlera Cocaj”, ka treguar rreth veçantisë së këtij koleksioni disenjatorja.
Ky koleksion titullohet ”MORPH“ që sipas disenajtores nga gjuha angleze d.m.th sistem revolucionar që të bën të ndihesh më bukur, e sigurisht që është ndërlidh me krejt synimin e saj që e ka kur e prezanton koleksionin e ri.
Koleksioni përfshin 14 veshje gjithsej, përderisa rreth ngjyrave të përdorura Qerimi thotë: “ngjyrat më dominante kësaj radhe janë: ngjyra neon, të cilën jemi mësuar ta shohim në sezonin e verës më shumë, po kësaj radhe ka qenë super trendi, gjithashtu ngjyra vjollce (orchid) dhe ngjyrat e tjera vjeshtore . Ndërsa materialet janë të leshta, pambuku dhe gjithashtu me fije sintetike ( që është bunda )”, ka pohuar disenjatorja Qerimi për KultPlus.
Fotografitë e koleksionit janë realizuar nga fotografi Andi Deqani. /KultPlus.com