14 Dhjetor, 2023 - 2:35 pm
“Arti dhe Moda” është ekspozita e radhës e piktores Diella Valla e cila përmbledh skica të modës dhe piktura të realizuara gjatë viteve të fundit.
Ekspozita e cila hapet më datë 18 dhjetor në KultPlus Caffe Gallery, do të përfshijë rreth 30 punime, në këtë mes disa skica të modës dhe disa piktura të formateve të ndryshme.
Ekspozita do të prezantojë talentin dhe krijimtarinë e piktores Diella Valla, duke sjellë para publikut një bashkëveprim unik mes artit pamor dhe modës.
Skicat e modës, ngërthejnë në vete ndërlidhjen me pikturën duke shpalosur motive të mozaiqeve, pikturave të piktorëve të mëdhenj botërorë dhe atyre shqiptarë si dhe frymëzime nga brende të ndryshme të modës.
Përqafimi i mozaikëve dhe frymëzimet nga moda janë thelbi i veprave të kësaj ekspozite, duke ndriçuar lidhjen e thellë midis këtyre dy formave të shprehjes artistike.
Esat Valla është kuratori i kësaj ekspozite i cili ka ndihmuar në krijimin e këtij koleksioni të veçantë.
Ekspozita do të hapet më datë 18 dhjetor, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery.
Ekspozita është e financuar nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com