28 Qershor, 2018 - 9:42 pm
Gili Hoxhaj
Ata që qëndronin pranë hyrjes së Hapësirës “Motrat”, nga jashtë ishin bërë pjesë e ekspozitës ndërsa shihnin një punim i cili nuk mund të shihej nga ata që gjendeshin në brendësi të objektit. Në formë të video incizimit paraqiten zorrët e një personi dhe mesazhi prapa saj qëndron në atë se për shkak të produkteve të dobëta ushqimore, brenda është rritur një mutagjent.
Në Hapësirën “Motrat”, Dion Zeqiri pati mundësinë ta shënojë ekspozitën e parë personale. Me anë të kësaj ekspozite të titulluar ‘’Ripërtypja’’, ai solli para publikut katër punë serike të cilat paraqesin një narracion të materializuar, në formë fizike, të cilat paraqesin trupa mutant të kafshëve ku në mungesë të informacioneve për prejardhjen e tyre, i ngjajnë një krijese imagjinare mutagjene, shkruan KultPlus.
Ekspozita e tij flet për një anë personale të problemit të mishit të paverifikuar, flet për sistemin ekonomik e shoqëror që njëjtë mund të shihet si mutacion sepse dështon në mbrojtjen e konsumatorit nga cilësia e dobët e produkteve të mishit dhe si ky konsumim ndikon në vetë organizimin e tij.
Dion Zeqiri tregoi se kjo ide ka nisur të zhvillohet atëherë kur atij i kanë rënë në duar disa produkte, kryesisht të mishit e që vijnë prej vendeve shumë të largëta dhe pa shumë informata se si janë importuar.
“Kur i jam qasur këtyre produkteve, kafsha të cilën po e konsumoj, më ka ngjarë në një kafshë imagjinare mutagjene dhe pikërisht këtë mutacion kam tentuar ta sjell në ekspozitë, që nuk ka qenë vetëm mutacion kafshëror por edhe ekonomik pasi nuk është ditur si importohen, është dashur t’i konsumojmë këto produkte pasi kanë qenë të vetmet në treg”, u shpreh Zeqiri për KultPlus.
Lola Sylaj, kuratore e kësaj ekspozite dhe drejtoreshë artistike që po menaxhon ngjarjet e fundit në Hapësirën “Motrat”, u shpreh se i ka pëlqyer qasja e artistit Zeqiri që nuk është vetëm informuese dhe ngritë pyetje, por vjen edhe si qasje nga ana artistike. Krijesat e tij imagjinare janë goxha morbide dhe e përfaqësojnë situatën.
“Është një situatë morbide dhe e pabesueshme se çfarë është duke ndodhur dhe përmes mediumeve të ndryshme tregon se si mund të përfundojë një kafshë në trupin e dikujt. Po më vjen mirë që ai ka arritur t’i paraqesë në punimet e tij të gjitha këto informata. Po ashtu është e rëndësishme të flitet se në Kosovë ka shumë vegjetarian, por është mirë që të flitet për këtë temë e një pjesë e madhe e shoqërisë nuk janë mirë financiarisht dhe njerëzit nuk mund të hanë vetëm sallata dhe duhet të koncentrohemi në atë se nuk ka informata dhe nuk ka zgjedhje, për të zgjedhur ndryshe”, tregoi Lola Sylaj për KultPlus.
Në mesin e vizitorëve në këtë ekspozitë ishte dhe profesori Mehmet Behluli i cili tha se ndihet shumë mirë kur sheh artistë të rinj që nuk e kanë barrierë materialin. Ai tha se edhe artisti Dion Zeqiri hyn në mesin e atyre artistëve premtues të cilëve shoqëria duhet t’u japë më shumë hapësirë.
“Më vjen mirë që artistët e rinj tashmë nuk e përdorin mediumin por idenë, e përzgjedhin atë që çfarë duan ta thonë dhe e organizojnë në mënyrën më të mirë, për Dionin kam fjalë të mira dhe kjo ekspozitë është shumë e freskët dhe shumë simpatike kështu që veç i ftoj njerëzit e tjerë ta shohin këtë ekspozitë”, tha Behluli.
Të gjithë ata që duan ta shohin këtë ekspozitë, mund t’i adresohen Hapsirës “Motrat”. / KultPlus.com