12 Dhjetor, 2020 - 10:04 pm
Brendi i stolive të shtrenjta që udhëhiqet nga shqiptari Xhevdet Gjonaj ka lansuar së fundi gjerdanin me formën e gjarprit, dhe që bartë emrin e Mbretëreshës Teutë, shkruan KultPlus.
Xhevdet Gjonaj, udhëheqësi i brendit Dionid, ka treguar për KultPlus se gjarpri është punuar nga jadeiti siberian, dhe është punë me gravurë dorë nga artisti Haxhi Gjoni.
“Kurse ari dhe diamantet që janë të vendosura në këtë gjerdan janë punuar nga brendi “Dionid””, ka thënë Gjonaj, i cili ka njoftuar më tutje se Haxhiu që ka punuar këtë gjerdan, bën edhe shumë krijime të tjera për brendin “Dionid”.
Gjonaj më pas ka njoftuar se arsyeja se pse e kanë emërtuar këtë gjerdan me emrin e Mbretëreshës Teuta, është se sipas disa fakteve vet Mbretëresha Teutë, gjarprin e ka pas simbol të luftës.
“Në këtë gjerdan është punuar rreth shtatë muaj, kurse vlera e saj kap shumën prej 1 milion e shtatëqind mijë dollarë”, ka thënë Gjonaj, i cili tashmë ka lansuar edhe shumë produkte të tjera të shtrenjta, të cilat punohen me porosi, dhe shumë prej tyre shkojnë për oborret mbretërore nëpër botë./ KultPlus.com