7 Shkurt, 2018 - 9:00 pm
Në mars të vitit 2018, artistja Alketa Xhafa Mripa do të jetë sërish në vëmendjen e medieve, për instalacionin e famshëm “Thinking Of You”, por tash me dedikim tjetër dhe në një vend tjetër, shkruan KultPlus.
Duke marë si referencë instalacionin e famshëm të realizuar në Kosovë “Thinking Of You”, ku Alketa Xhafa Mripa pat grumbulluar fustane të shumtë nga vajza dhe gra, duke përfshirë edhe fustane nga të famshmet, ajo pat inkurajuar gratë e Kosovës, të cilat mbi supet e tyre bartin tmerrin e dhunimit përgjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kjo artiste shqiptare nëpërmjet një instalacioni të ngjashëm, ka filluar të grumbullojë fustane në Britani të Madhe për të mbijetuarat e dhunës seksuale. “Jam duke realizuar veprën “Thinking Of You”, në Londër, në bashkëpunim me UN Women UK “For he For she”, që do të mbahet në muajin mars në “Arts Week London””, ka thënë Alketa Xhafa Mripa për KultPlus. Ajo ka thënë se fustanet do të mblidhen me të njëjtën procedurë, sikurse në Kosovë, kurse kampanja e mbledhjes së fustaneve tashmë ka nisë.
Së fundi, një fustan për këtë instalacion të Alketa Xhafës e ka dhuruar edhe disenjatorja shqiptare Laura Imami, e cila njihet për brendin e saj të syzeve në Londër /KultPlus.com