Disenjatorja shqiptare me sfilatë në Paris, koleksioni titullohet në gjuhën shqipe “Enigmë”

27 Maj, 2019 - 11:00 pm

Fotografitë: Anna Helm dhe Yulia Raznikov

Është në ethet e sfilatës “Show me” që do të mbahet në Paris, dhe disenjatorja shqiptare Ariana Krasniqi në pasarelat e kësaj sfilate të madhe do të paraqitet me koleksionin e saj “Enigmë”, shkruan KultPlus.

Emërtimi i këtij koleksioni në gjuhën shqipe ka një rëndësi të madhe për disenjatoren shqiptare, pasi që, vetë Ariana Krasniqi ka treguar se  emërtimi i koleksionit në gjuhën shqipe ka për qëllim që të identifikohet në pasarelet e Parisit si një disenjatore shqiptare.

“Show me” do të mbahet në muajin korrik, kurse Ariana Krasniqi do të paraqitet me tetë veshje, me ngjyra tipike të preferuara të Arianës si: ngjyrë vjollcë dhe rozë.  

“Si fëmijë kam pasë ëndërr që gjithmonë të merrem me dizajn, dhe vështirë kam besu se do të bëhet realitet”, ka thënë Ariana Krasniqi, e cila ka shtuar se gjatë studimeve ka qenë shumë e vështirë për të që në të njëjtën kohë të vlerësohet edhe me nota të larta, por edhe të realizojë koleksione që zgjojnë interesim.

“Konkurrenca në botën e dizajnit konsiderohet si profesioni me konkurrencën numër një në botë. Tash pas katër viteve stres dhe lot pa fund, po prezantohem si një shqiptare e lindur dhe e rritur në Gjermani. Paraqitja në sfilatën e Parisit është jo vetëm një ëndërr, por dicka e papërshkrueshme”, ka thënë Krasniqi për KultPlus.

Ariana Krasniqi ka treguar për KultPlus se edhe përkundër vështirësive të mëdha, ajo ka punuar me përkushtim të madh deri te ky sukses, që mos të jetë një dizajnere vetëm brenda Gjermanisë, por me përmasa ndërkombëtare.

Kurse sa i përket emërtimit të këtij koleksioni “Enigmë”, ajo ka thënë se këtë titull e ka vendosë pikërisht për faktin se sikurse që enigma është e vështirë për tu zbërthyer, edhe veshjet e saja të kenë një këndvështrim jo të lehtë për ta zbërthyer.
Ajo ka shpjeguar më tej se në këtë koleksion ka punuar me dicka që nuk i do. Ajo thekson se nuk është adhuruese e luleve, dhe pikërisht me lule ka punuar fustanet e këtij koleksioni.


“Lulet i kam qepur me dorë në fustane, në cdo vend ku janë qepur lulet, kanë një mesazh të veshjes. Veshja parë e ka titullin : can you imagine the pain of overthinking? veshja e dytë: stucked in! veshja e tretë : I can see but once I was blind veshja katërt: behead , veshja e 5: everytime i close my eyes it‘s like dark paradise, veshja 6: which one will you let it grow? , veshje 7: i overthink, i overlove, i overfeel i am the sea or i am nothing  dhe veshja 8: i said too much why do i always spill”, ka thënë Krasniqi.

Lulet në këto fustane janë dizejnuar në formën e trurit, kurse krejt kjo sfilatë do të prezantohet më 3 korrik, dhe përpos që ata që mund ta shohin nga afër këtë sfilatë, sfilata “Show me”, do të transmetohet live edhe nga organizatorët./KultPlus.com

Të ngjajshme