16 Maj, 2024 - 4:44 pm
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar iu bashkua temës së Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, me hapjen e ekspozitës kushtuar figurës së Johan Pagëzorit. Tema e edicionit të këtij viti është “Muzetë, Edukimi dhe Kërkimi shkencor”.
Rreth temës referuan: Mitropoliti i Korçës, Johan Pelushi, dr. Andre Llukani dhe dr. Ahilino Palushi. Të ftuar të rëndësishëm të qytetit, të botës akademike, si dhe admirues të botës bizantine, vlerësuan aktivitetin me pjesëmarrjen e tyre duke shprehur kënaqësinë dhe krenarinë mbi trashëgiminë tonë kulturore.
Ekspozita solli figurën e Johan Pagëzorit, si një nga figurat më komplekse, të jashtëzakonshme dhe më të pikturuara në traditën ikonografike bizantine.
Ekspozita përmban 13 ikona të cilat, janë paraqitje të ndryshme të tij, i përkasin autorëve dhe periudhave të ndryshme dhe pjesa më e madhe e ikonave ekspozohen për herë të parë.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, vazhdon të jetë aktiv në zbulimin, restaurimin, studimin dhe përshfaqjen e vlerave të jashtëzakonshme që mbartim, duke mundësuar njohjen e thellë të historisë dhe të kaluarës mbi trashëgiminë tonë kulturore, besimin, zhvillimin në shekuj dhe ç’vendi i përkasim./atsh/ KultPlus.com