24 Korrik, 2017 - 1:36 pm
DokuFest XVI, shpall programin e fotografisë DokuPhoto, që këtë edicion me krenari do të shënohet përmes një bashkëpunimi me Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi në Shkodër, përcjell KultPlus.
Arkiva e fotografive të ‘Marubi’ kap dhe dokumenton ngjarje nga historia e trazuar e Shqipërisë (1856-1959) dhe përfshinë fotografi fascinuese të ngjarjeve të ndryshme publike, ritualeve shoqërore, kryengritjeve në malësi që mbulojnë pikëpamje historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike.
Një përzgjedhje e fotografive të kuruara nga koleksioni i gjerë i muzeut prej 500.000 negativë, që përfaqëson tre breza fotografësh, do të paraqiten përmes aktiviteteve të ndryshme që do të organizohen përgjatë festivalit. Programi përfshinë një ligjëratë me drejtorin e muzeut, punëtori dhe ekspozitë street art në hapësirat e qytetit, një punëtori për fanzine si dhe ekspozitë video-mapping, duke sjellë për herë të parë në Prizren një shikim unik të këtij koleksionit fantastik.
DokuFest, nisë edicionin e 16-të më datën 4 gusht në qytetin e Prizrenit./ KultPlus.com