29 Gusht, 2020 - 12:30 pm
Në kuadër të 100 vjetorit të Tiranës si kryeqytet, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka ekspozuar në ambientet e jashtme të saj një ekspozitë e cila do të jetë e afërt për sytë e çdo qytetari.
“Tirana në 100-vjetorin e Pavarësisë” është ekspozita e parë e publikuar në këtë formë. Edhe pse në periudhë pandemie, DPA është në funksion të plotë për të sjellë pranë publikut dokumentacionin dhe gjithë memoristikën e jetës së Tiranës përgjatë një shekulli.
Momente kyçe të jetës politike, zhvillimet e ekonomike, tendencave të stileve arkitekturore dhe zhvillimit urbanistik, fryma kulturore dhe artistike, evolucioni social, përballja me sfidat dhe perspektivën e kryeqytetit, shpalosen përmes kësaj ekspozite që tashmë do të jetë e hapur 24 orë në 7 ditë të javës.
Kjo ekspozitë vjen me një qasje tjetër nga dhjetra aktivitete të ngjashme të mëparparshme të organizuara nga institucioni. Ekspozimi i këtyre materialeve është kryer me qëllim që të tërheqe vëmendjen e publikut i cili është ende i mbërthyer nga ndjesitë e ankthit të pandemisë. Me këtë nismë të re synohet që të afrohet publiku si ai i dedikuar i studiuesve dhe studentëve, ashtu edhe kalimtarët e thjeshtë.
Kështu në stendat e vendosura në muret e jashtme të institucionit, çdokush ka mundësinë të shoh nga afër fotografi dhe aktet zyrtare që lidhen me ngjarje të rëndësishme në periudhën midis dy luftërave, periudhën gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe periudha e pas çlirimit.
Një pjesë e ekspozitës që ka zgjedhur DPA ndër të tjera janë vendime të këshillit të përhershëm të Bashkisë së Tiranës, lista e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, foto të kryetarëve të Bashkisë së Tiranës, foto nga godina të institucioneve, hapësirave publike, ndërtimet e reja, manifestimet të cilat i përkasin periudhave të ndryshme kohore. Kjo ekspozitë dhe të tjerat në vijim vijnë dhe si një alternativë e shtuar për edukimin dhe dijen e nxënësve, studentëve dhe të rinj në përgjithësi për të shtuar njohuritë mbi historinë. atsh / KultPlus.com