Donika Çina dhe Hanna Hildebrand, artistet e radhës në Tirana Art Lab

28 Shtator, 2017 - 4:41 pm

Të shtunën mbrëma, me 30 shtator, në Tirana Art Lab në ora 19:00 vjen një ekspozitë e re.

Bëhet fjalë për ekspozitën nga Donika Çina dhe Hanna Hildebrand, si pjesë e programit Double Feature # 7.

Tirana Art Lab me Double Feature # 7 sjell së bashku punën e artistes shqiptare Donika Çina dhe artistes Hanna Hildebrand, lindur në Itali. Ekspozita është e konceptuar sipas praktikave të dy artisteve, që synojnë hulumtimin dhe përftimin e proceseve konjitive nëpërmjet eksperiencave personale në shoqëritë ku ato jetojnë dhe takimet me të tjerët. Çfarë i dallon praktikat e artisteve dhe në të njëjtën kohë i bashkon me njëra-tjetrën është fokusi në proces, qoftë si njohje, si kuptim, shkëmbim apo proces krijues. Kështu që qëllimi i tyre përbëhet nga dekodimi i njëkohshëm i procesit në formë teksa e përjetojnë atë. Paraqitja pamore dhe regjimi estetik është në këtë mënyrë realiteti në të cilin ato janë pjesëmarrëse, ndërhyjnë, veprojnë dhe ndërmjetësojnë me punët e tyre. Të vetëdijshme për epërsinë e formës, dukjes dhe estetikës me punët e tyre në vend që t’i legjitimojnë ato i sfidojnë vazhdimisht duke i vënë në diskutim. Siç duket qartë prej statuseve të tyre dhe punëve, qoftë Çina ashtu dhe Hildebrand mundohen të shmangin specifikimet e vendosura, klasifikimet dhe shpjegimet. Duke qenë paradoksale punët e tyre shndërrohen në vende të ndërmjetësimeve të përhershme kuptimore dhe thuajse të pamundura për t’u kolonizuar apo kapitalizuar nga strukturat e pushtetit. (Adela Demetja)

Donika Çina lindi në 1988 në Korçë, Shqipëri, studioi në Akademinë e Arteve në Tiranë, në Universitetin e Arteve dhe Dizajnit në Cluj-Napoka Rumani dhe në Universitetin e Arteve Braunschweig, Gjermani. Puna e saj është ekspozuar në shumë aktivitete përfshi; Ardhja Award, Zeta Gallery Tirana; Tirana Open 1 Book and Art Festival, Tirana; Archivitionism (archivism-activism-exhibitionism), Galeria Plan B Cluj-Napoca, Romania; Autopia Cycle, Eliava Market,Tbilisi, Georgia; The Office Tirana, National Gallery Tirana, Albania and Museo Orientale, Torino, Italy; Guri Madhi Prize, Korçe, Albania.

Hanna Hildebrand u lind më 1978 në Como, Itali, ka studiuar në Städelschule Frankfurt/Main, Gjermani, jeton dhe punon në mënyrë nomade. Punët e saj dhe pefrormancat kanë qenë pjesë e aktiviteteve të shumta përfshi; Manifesta 11, Zurich, Switzerland; Double Feature Schirn Kunsthalle Frankfurt/Main, Germany; Che c’é di nuovo, Museo Cantonale Arte Lugano…

Double Feature #7 është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme