18 Mars, 2019 - 3:30 pm
Jeta Zymberi
Ndonëse ende shumë e re në moshë, Donika Loci ka arritur që ëndrrën e saj për të qenë një disenjatore e suksesshme ta përjetojë me vetëm 19 vjet. Krejt kjo falë përkushtimin, dashurisë dhe pasionit për punën që ajo bën, shkruan KultPlus.
Diçka e kishte ngacmuar përbrenda gjithmonë. Qysh në fëmijëri ajo preferonte që kohën e saj më të madhe ta kalonte në makinën e qepjes aty ku gjyshi i saj, një dizajnere me përvojë në Pejë, ishte për ta shtyrë drejt realizimit të ëndrrës së saj, e për Locin ai ishte krahu i saj më i fortë në rrugën e nisur.
Koleksionin e parë ajo e ka realizuar qysh në moshën 16 vjeçare, atëherë kur edhe e ka hapur atelienë që gjithashtu është e pazakontë që në një moshë aq të re të jesh e zonja e një pune. Ajo ka rrëfyer për KultPlus së si arriti që në një moshë aq të re të arrijë deri të realizimi i koleksionit.
“Koleksioni i parë ka qenë i gjithi punë dore, unë nuk i kufizoj asnjëherë idetë e mia duke u bazuar në një material, preferoj të punoj më shumë punë dore sepse mendoj se për njerëzit është më atraktive dhe arrin ta krijosh stilin tënd. Kam punuar deri 1 muaj në një fustan. Por dashuria e madhe për këtë punë dhe kënaqësia që ndjej kur e përfundoi më bën që të punoj shumë dhe të mos lodhem asnjëherë”, ka thënë Donika për KultPlus.
Dizajnerja e re Loci është gjithëpërfshirëse në kreacionet e saj, nga fustanet, kostumet, veshjet skenike, e gjithçka tjetër. Por ajo ka kreacionet e saj të preferuara, aty ku edhe e gjen vetën më shumë.
“Mund të krijoj gjithçka, të prek secilin stil, por më shumë më pëlqen të krijoj veshje më të veçanta dhe më eksperimentale, veshje që jo secili ka guxim t’i vesh”, ka pohuar tutje Loci e cila tregon se në veshje ke hapësirë të luash me gjithçka, e madje ka raste kur ajo përdorë materiale që zakonisht nuk përdoren për veshje e që për shumë kënd është e pabesueshme se si mund të krijohet veshje prej materialeve të tilla, por rezultatet që ajo sjell në fund janë të mahnitshme.
Në vendin tonë numri i dizajnerëve është gjithmonë në rritje, por për Locin kjo nuk sheh ndonjë problem.
“Sa më shumë rritet konkurrenca aq më shumë ka mundësi të dal në pah më i miri. Madje është edhe një mundësi e mirë sepse klientët kanë zgjidhje dhe secili shkon aty ku i përshtatet stili më shumë”, tha Loci. Sipas saj, sot nuk është e rëndësishme të jesh vetëm komod, shpesh njerëzit shpesh e sakrifikojnë komoditetin vetëm që të duken bukur. Duhet të jesh vetja por edhe të dukesh bukur, thotë ajo.
Viti 2019 ka qenë një fillim i mbarë për të madje suksesin që ajo po e përjeton ishte i papritshëm për të.
“E rëndësishme për mua është që jam duke e bërë stilin që e dua, sepse një dizajnerë mund të ketë shumë punë por asnjëherë nuk arrin të vë në pah stilin e tij por punon në shërbim të kërkesave të klientëve. Unë jam duke e bërë punën që e dua dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua”, ka treguar dizajnerja për ndjesinë e suksesit.
Ajo tashmë ka filluar të punojë edhe për shumë artiste të estradës tonë dhe besimi e vlerësimi që po merr nga ta për të janë një shtysë e madhe në punë.
Loci për momentin veprimtarinë e saj po e zhvillon në të dyja vendet, në Pejë dhe Prishtinë dhe shumë shpejt një atelie me emrin Donika Loci do të jetësohet edhe në Prishtinë për të qenë kështu më afër klientëve. /KultPlus.com