7 Shkurt, 2019 - 8:48 pm
“Çejzi” është praktikë që manifestohet përmes institucionit të martësës. Më saktësisht, është një formë e relacioneve që fillon të paraqitet që në moshë të re për të udhëzuar përgatitjen për martesë. Sipas traditës “Çejzi” është një grumbullim i pasurisë të cilën sipas këtij rituali gjithnjë e bart një grua kur të lidhë kurorë me një burrë.
Përgjatë kohës kjo traditë ka pësuar ndryshime duke kryer funksione të ndryshme, kryesisht të lidhura me çështjet e trashëgimisë materiale, zbatueshmëria e së cilës mund të konsiderohet si tregues i rendit normativ gjinor dhe patriarkal i funksionimit shoqëror.
Në anën tjetër, kjo praktikë është karakterizuar me një proces të ndërlikuar të punëdorës si dhe është shfaqur përmes një estetike të veçantë e cila si e tillë ngërthen në vete vlera të trashëgimisë kulturore. Sot, roli fillestar i “Çejzit” pjesërisht është tjetërsuar, dhe rrjedhimisht në periudhat e fundit, sidomos gjatë shek. 20, është komodifikuar duke sjellë një marrëdhënie të re të gruas me punën.
Doruntina Ukimeri risjellë “Çejzin” përmes filigranit të letrës i cila është fokusi i praktikës së saj artistike. Përmes “Çejzit” Doruntina tenton të eksplorojë transformimin e kësaj traditë dhe nga aty, ajo ripërpunon disa nga figurat e gjetura shpesh në punimet e “Cejzit”. Ajo risjellë këto figura të përsëritura, duke theksuar elemente estetike që sipas saj janë reprezentimi më tipik i “Çejzit”, duke prodhuar një formë tjetër, përmes një mediumi të pazakonshëm prej punimeve të zakonshme.
Ky projekt është bërë i mundshëm nga Heritage Space e cila është platformë e nisur nga CHwB Kosova që i krijon hapësirë individëve kreativ të përdorin trashëgiminë kulturore si burim frymëzimi për krijimin e punëve të reja, përmes përdorimit të mediumeve të ndryshme, për zhvillim ekonomik, social dhe kulturor në Kosovë. Kjo platformë krijon lidhje të reja në mes të krijuesve dhe shoqërisë me trashëgiminë.
Ekspozita do të pasojë ditëve në vijim me një diskutim të hapur në lidhje me praktikën e “Çejzit” për të trajtuar marrëdhënien e artit me çështjet që zakonisht interpretohen si diçka që i përket tradicionales./ KultPlus.com