27 Shtator, 2018 - 1:02 pm
Alberina Haxhijaj
Mbrëmë në Hapësirën Ekspozuese “Motrat” është hapur ekspozita “Raffle” nga Nita Zeqiri dhe Ajete Kërqeli.
Në ditët e sotme, një numër i madh i kosovarëve kanë kaluar nëpër procesin e marrjes së vizave. Në një proces të tillë, respektivisht aplikim për vizë studentore kanë kaluar edhe Nita Zeqiri dhe Ajete Kërqeli. Ato së bashku kishin aplikuar për të ndjekur studimet në një universitet jashtë Kosovës, në universitetin e njëjtë dhe në degën e njëjtë. Përkundër kushteve që i kanë pasur të njëjta dhe dokumenteve të njëjta që i kanë dorëzuar, Ajete Kërqelit i është dhënë viza ndërsa Nita Zeqirit i është refuzuar.
Këto të dyja, të gjendura përballë këtij vendimi burokratik dhe aspak të drejtë siç e konsideron vetë Nita, kanë vendosur që pakënaqësinë e tyre ndaj procesit të tyre por edhe procesit nëpër të cilin kanë kaluar shumë kosovarë ndër vite, ta shprehin përmes artit. Sipas tyre, pas procesit të aplikimit për vizë qëndron “mundësia”. Çka është mundësia?
Mundësi: Shfaqja e ngjarjeve në mungesë të ndonjë qëllimi apo shkaktari të dukshëm. E ka marrë vizën rastësisht. Një mundësi që diçka të ndodhë. Ka pak shanse për të marrë një vizë.
“Përvoja jonë na ka kriju një ndjenjë që ky proces është më shumë si punë e lotarisë sesa si punë e dëshmive që po dorëzohen me rast të aplikimit për vizë. Pra e kemi dokumentuar këtë përvojën tonë personale pasi shumë njerëz arrijnë me u identifiku me këtë. E dimë se sa të shpeshta janë këto raste në Kosovë, momentet kur aplikon për vizë edhe nuk e ke idenë se a ki me e marrë a jo, pastaj edhe ajo ndjenja që të krijohet gjatë procesit të aplikimit”, u shpreh Ajete Kërqeli për KultPlus.
Ajetja dhe Nita kishin vendosur që në njërin mur të hapësirës ekspozuese “Motrat” të vendosnin dokumentet që u janë kërkuar dhe datën kur u është kërkuar një dokument i caktuar, kështu muri ishte mbuluar me letra të bardha, përkrah të cilave gjendej edhe vendimi i ambasadës, pozitive për Ajeten ndërsa negative për Nitën. Dokumentet janë edhe në gjuhën gjermane, ku shpesh supozohet që qytetari duhet ta dijë gjuhën respektive të shtetit ku aplikon. Pra vendimi ndonjëherë merret në një gjuhë tjetër.
Viza: Një miratim i lëshuar nga një përfaqësues i autorizuar i një vendi dhe i shënuar në një pasaportë, që lejon mbajtësin e pasaportit të hyjë, të udhëtojë ose të banojë në atë vend për një periudhë të caktuar kohe, për qëllime turizmi, arsimi, punësimi etj.
Pjesa e dytë ishte një video-instalacion, në të cilin llogariteshin shpenzimet që kanë bërë, e që së bashku arrinte shifrën afër 6 mijë euro. Kalkulatori numëron shifrat. Pjesa e tretë përfshinte një kabinë brenda së cilës hynin njerëzit një nga një dhe pasi linin shenjat e gishtave, merrnin një përgjigje në gjuhë të huaj rreth aplikimit të tyre. Siç shprehet edhe Nita, ekspozita është një protestë ndaj procesit të aplikimit të vizave.
Refuzoj: Refuzoni t’i jepni (diçka të kërkuar ose të dëshiruar) dikujt. ‘kërkesa për vizë u refuzua’
“Ajo që fshihet pas kësaj ekspozite është një reagim ndaj gjithë këtij sistemi burokratik dhe jo të drejtë. Një thirrje për liri të lëvizjes. Kishim dëshiru që me e tejkalu këtë jo vetëm njerëzit në Kosovë por edhe në gjithë botën, pra të kenë të drejtën për lëvizje të lirë, të drejtën për edukim kudo që ata dëshirojnë”, u shpreh Nita Zeqiri për KultPlus.
Në anën tjetër Ajetja tregon se pas gjithë kësaj drame të panevojshme rreth aplikimit të tyre ajo ka vendosur që të mos vazhdojë me procesin për marrjen e leje qëndrimit pavarësisht që e ka marrë përgjigjen pozitive.
“Le të shpresojmë që ka me ndodhë liberalizimi më shpejtë dhe nuk kemi me pasë nevojë për viza, edhe pse mund të ndodhë përsëri që të kemi nevojë me lëvizë në ndonjë vend tjetër e që nënkuptoj që do të duhet të aplikojmë përsëri”, tregoi ajo.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 tetor. / KultPlus.com