27 Qershor, 2022 - 11:00 pm
Drejtori i Departamentit të 9-të të “Arteve të Bizantit dhe të krishtërimit të Lindjes” në Muzeun e Luvrit, Paris, Maximilien Durand, ka vizituar Muzeun e ri të Artit Mesjetar si dhe Kishat e Voskopojës dhe Mborjes.
Durand është rikthyer në Shqipëri pas më tepër se 20 vitesh për të parë nga afër ndryshimet e bëra gjatë këtyre viteve, sa i përket ruajtjes dhe ekspozimit të këtyre pasurive me vlera të mëdha.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Korçë, Gjergji Koki, në një prononcim për ATSH-në, u shpreh se “vizita e njërit prej drejtorëve më të rëndësishëm të Muzeut të Luvrit, merr një vëmendje të veçantë, pasi promovimi që i bën zonës, ka interes për turizmin fetar dhe kulturor, por edhe për shkëmbimin, në të ardhmen të eksperiencave e teknikave të restaurimit dhe konservimit të kësaj trashëgimie”.
Durand vlerësoi shumë punën e bërë në Muzeun e Artit Mesjetar si shembull të promovimit dhe ekspozimit të ikonave, duke theksuar se “ky muze është unik në llojin e vet në rajonin e Ballkanit, për sa i përket fondit që disponon”.
Po ashtu, Durand vlerësoi punën që bëhet për ruajtjen e ikonave, në kushte ideale, profesionale dhe të standardeve botërore.
Më tej ai vazhdoi udhëtimin e tij në kompleksin e kishave të Voskopojës, ndër të cilat ka vlerësuar maksimalisht kishën e Shën Kollit.
“Kjo është “Monaliza” e artit ikonografik shqiptar”, është shprehur Durand, të cilit i kanë tërhequr më tepër vëmendjen veshjet e shenjtorëve në muralet e Zografit, Shpatarakut e Selenicës.
Ai vuri theksin tek puna për konservimin dhe ruajtjen strukturale të kishave në Voskopojë, pasi edhe ka bërë një studim mbi to, veçanërisht për veshjet në pikturat murale.
Durand theksoi nevojën që ka për ndërhyrje në afreske, si dhe për konservimin e tyre.
Gjithashtu vizitoi edhe Kishën e Mborjes, një kishë e shekullit të 13-të, ku pa nga afër proceset restauruese të cilat garantojnë një ruajtje dinjitoze.
Drejtori i Luvrit, shoqërohej në këtë vizitë nga dy ekspertë të artit të trashëgimisë kulturore të DRTK Korçë që e asistuan gjate vizitës së tij në qytetin e Korçës. Më tej ai do ta vazhdojë vizitën e tij në Shqipëri, me qytetin e Beratit, ku ka të tjera perla të artit mesjetar./atsh/ KultPlus.com