11 Dhjetor, 2019 - 7:52 pm
Me 19 dhjetor në Prishtinë do të hapet ekspozita ‘N’përpjekje për me u çue’ e artistit Driant Zeneli.
Kjo do të jetë ekspozita e parë solo e artistit në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Me anë të filmit, instalacioneve në video dhe performancës, Zeneli investigon nocionet e tentimit, dështimit, ëndrrës dhe utopisë si elemente që sjellin perspektiva alternative, shkruan KultPlus.
Titulluar ‘No wise fish would escape without flying’, filmi i Zenelit fillon me një përfaqësim fiksional të peshkut, peshkut fluturues, pasuar me të gjitha efektet dhe mundësitë që i sjellë. Projekti i Zenelit hulumton lidhjen tonë me njohurinë dhe me procesin e mësimit nëpër gjenerata e nëpër periudha të ndryshme historike.
Artisti i lindur në Shkodër në vitin 1983, jeton sot mes Tiranës e Milanos.
Sikur edhe në punët tjera, edhe në këtë ekspozitë Zeneli merret me aspektin kolektiv. Kësisoj ai dëshiron të hulumtojë faktin se si takimet mes njerëzve sfidojnë dhe ndryshojnë përceptimet e dëshirat e limitet tona.
Vitin e kaluar Drianti e përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e Venecias. Në vitin 2017 e fitoi çmimin MOROSO dhe në vitin 2009 the Young European Artist Award Trieste Contemporanea.
Ekspozita në Prishtinë ka për kuratore Claudia Buizza, një kuratore e pavarur nga Parisi, dhe Alicia Knock, kuratore nga Centre Pompidou në Paris.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 31 janar 2020 ndërsa me 25 janar në Kino Armata do të ketë një bisedë me artistin. / KultPlus.com