11 Mars, 2019 - 10:00 pm
Arti mund të shndërrohet në një mjet të pazëvendësueshëm për të luftuar dukuritë negative, në një shoqëri që aspiron të zhvillohet. Përmes tij, mund të ndryshojnë balancat, mund të përshpejtohet ritmi, mund të nxitet optimizmi.
Me këtë motiv dhe me idenë se, gjithkush çdo artist duhet të kryejë misionin e vet në funksion të të tërës, Daniela Moçia, aktore teatri dhe Marco Picistrelli, fotograf, u bënë protagonistë të një mbrëmjeje të mbushur me emocione, të titulluar “Të dua sa jeta”, zhvilluar në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, në prani të një publiku të zgjedhur me intelektualë, artistë, dashamirës të fotografisë e të interpretimit skenik, drejtues të institucioneve vendore në Vlorë.
Dy akset e këtij aktiviteti mbresëlënës, ekspozita me fotografi dhe interpretimi skenik, me autorë dy prej emrave më të njohur në fushat respektive sot në Italinë fqinje, konvergonin tek e njëjta temë, ajo e përpjekjeve kundër dhunës ndaj grave.
Për Picistrellin, mbetet udhërrëfyese perifrazimi se, “një kategori fotografish që frymëzon një qëllim të mirëpërcaktuar, mund të shndërrohet në armën më të fuqishme dhe në të njëjtën kohë në notën lirike më të ndjeshme. Në këtë përcaktim, sipas tij, gjendet e tërë nevoja që çdo artist ndjen se mund të kontribuojë për një qëllim social në kohët ku jeton, duke përdorur instrumentet e veta shprehëse. Prandaj dhe Picistrelli, emër i njohur sot në botë, në fushën e fotografisë krijuese, është vazhdimisht në udhëtim në të gjithë globin. Ai fotografon pa fund, fikson personazhe, detaje, ngjarje dhe çel ekspozita për të përcjellë mesazhe për jetën, për të ardhmen. Kudo, në Tibët, apo në Islandë, ai i dedikon gjithmonë një sallë projektit të tij kundër dhunës ndaj gruas.
“Sjell bukurinë e natyrës, por i dedikoj një hapësirë edhe kontradiktave mes njerëzve, dashurisë për jetën dhe dhimbjes së vdekjes”, thotë fotografi i shquar italian, për të cilin angazhimi social është një detyrë. Ekspozita e tij, përcjell idenë se, komunikimi jo verbal si në rastin e fotografisë, shpesh është më efikas, pasi arrin në thellësi të shpirtit, lë gjurmë, i drejtohet botës së brendshme të njerëzve dhe ndjeshmërisë.
Kështu e argumenton Picistrelli zgjedhjen e tij artistike, të cilën e çon përpara, duke përdorur për këtë edhe mënyra të tjera të artit të të shfaqurit, sikundër është teatri.
Një takim me aktoren Daniela Moçia, aktore e njohur teatri, e ngriti në një stad të ri, idenë se, përmes artit dhe formave të bashkëpunimit, mesazhet mund të jenë edhe më të fuqishme. Imazhet pa zë të artistit fotograf bashkuar me gjuhën e trupit, fjalët, interpretimin e artistes aktore, konsolidojnë qëllimin për të reflektuar, menduar, hamendësuar, goditur, por mbi të gjitha për të mos qëndruar indifferent ndaj temës së dhunës ndaj grave.
“Të dua sa jeta”(“Ti amo da vivere”), e përbërë nga një ekspozitë fotografike dhe një pjese teatrale, alternuar me foto e video, vjen në Vlorë, pasi është shfaqur më parë, në Romë(tre herë), Bolonjë, Ascoli Piceno etj.
Imazhet e ekspozitës në bardhë e zi, shfaqen jo dhunuese, jo të dukshme, por simbolike, evokuese, emocionuese.
Gjithsekush nga vizitorët, përballë këtyre fotove mund të shohë diçka të ndryshme, të japë një gjykim, të projektojë ankthin, apo të ndjejë thjesht emocione, por gjithsesi në një mënyrë subjektive. Pra, gjithçka lidhet me botën e brendshme të secilit. Një mur në Romë, ku për çdo grua të vrarë projektohet silueta e saj, apo një fotografi tjetër ku gratë e dhunuara apo të zhdukura nga kjo jetë, kanë vetëm një imazh, një fytyrë, përbëjnë edhe dy nga kulmet e kësaj ekspozite me shkallë të lartë ndjeshmërie.
Nga ana e saj, aktorja Daniela Moçia, përlot të pranishmit me interpretimin e saj në dy monologë “Nannarella” të Giulia Riçiadi dhe “Deri sa vdekja të na ndajë”, të Francesco Olivieri.
Në këto dy pjesë, ku tregohet respektivisht fati i një prostitute që përballet esktremisht me dhunën, si edhe historia e një gruaja të vdekur të vrarë, aktorja sjell një prezantim dramatic të jetës reale dhe prekëse njëkohësisht, ku ajo përjeton dhe përcjell emocione të forta.
Konsullja e Përgjithshëm e Italisë në Vlorë, Luana Michelli, thotë se, dhuna ndaj gruas është një dukuri që nuk njeh kufij. Arti, është një mënyrë, një mjet i fuqishëm për ta kundërshtuar, për ta minimizuar atë.