“Dy femra”- fotoja e rrallë e Gjon Milit

15 Dhjetor, 2022 - 12:30 pm

                  

Me rastin e 118 vjetorit të lindjes së fotografit

Në luzmën e fotografive të quajtura “vizatime me dritë“, që fotografi Gjon Mili i ka bërë piktorit Pablo Pikaso gjendet edhe ajo që mund të  titullohet “Dy femra” (Mili Gjon-Picasso’s third Dimension-A Triton Press Publication-New York, 1970-f.22). Fotoja është realizuar në vitin 1949 gjatë takimit të parë midis piktorit dhe fotografit në Vallauris, në Francën jugore.  Këtu u realizua edhe fotoja e njohur “Pikaso duke vizatuar centaurin”, e botuar në mjaft libra e periodikë mbi fotografinë. Mili dhe Pikaso u takuan sërish edhe në  vitin 1967, po në jug të Francës, në vilën e piktorit në Kanë edhe aty u realizuan mjaft fotografi të serisë   “vizatime me dritë“.

    Në foton që kemi ndër duar paraqiten në letrën fotografike vizatimet e portreteve të  dy femrave në errësirë të plotë. Ato qëndrojnë përballë njëra-tjetrës e, nga profilet e vizatuara duket  se midis tyre po shkëmbehen fjalë. Njëra, e djathta, është vajzë e re (çka duket edhe nga gjoksi), paraqet një portret femre, thuajse klasik të Pikasos, siç shkruhet shumë më herët për të  në revistën LIFE (Revista LIFE, 30 janar 1950), ku botohet edhe ky imazh (vetëm i vajzës). Portreti i majtë, përkundruall të parës, paraqet një grua të moshuar, thatanike që të jep përshtypjen se po grindet me të parën. Vërehet lehtë se Pikaso vajzën sikur e ka vizatuar me më kënaqësi, ndërsa plakën jo, ndonëse sasia e vijave përbërëse të vizatimeve thuajse janë të njëjtat. Të dy imazhet janë krijuar nga piktori me dritëzën elektrike në errësirë. Siç u tha më sipër fotoja, si rëndom këto lloj, është realizuar në errësirë të plotë. Në  të  figura e piktorit nuk duket fare, por shihet vetëm krijimi i tij, pra ajo futet në grupin e atyre “vizatimeve me dritë“ të Milit, ku fotografi me synim e  fsheh plotësisht piktorin brenda territ të mjedisit, po paraqet  punimin e tij.

    Duke vështruar fotografinë vërehet se,  femrat janë fiksuar në një çast përplasje verbale midis tyre, psh, të tipit vjehërr-nuse, plakë-vajzë, gjyshe-mbesë etj.  Kështu, mendohet se piktori  Pikaso ka vizatuar përballë fotografit dy femra karshi njëra-tjetrës e,  bash  këtë skenë e ka përngrirë në celuloid mjeshtër Mili.

    E vërteta qëndron fare ndryshe e, këtë na e thotë vet fotografi në librin e tij mbi Pikason, të cituar më lartë. Ai shkruan se, këto imazhe të  dy grave…janë  në  fakt një  dhe i njëjti vizatim i kapur njëkohësisht nga dy aparate, njeri përball Pikasos, tjetri në  krah të  tij. (Mili Gjon—Picasso’s third…-libër i cituar-f.22). Pra, aparati i parë ishte perpendikular me planin e vizatimit, ndërsa i dyti me një farë këndi, të themi 45 gradë. Objektivat e të dy aparateve ishin drejtuar nga piktori, ose më mirë nga vizatimi që do bënte ky në errësirë dhe obturatorët të regjistruar me kohëzgjatje disa sekondshe. Pra, të dy aparatet fotografuan njëkohësisht imazhin, njeri vertikalisht me planin e  vizatimit (afërsisht plan), tjetri pjertas me të. Nga fotografimi u përftuan dy imazhe fotografike (në  të  vërtetë  janë dy foto) të të njëjtit subjekt, natyrisht të ndryshme nga njeri-tjetri. Në laborator (pjesë shumë e rëndësishme e procesit artistik), Mili i vendosi filmat mbi njeri-tjetrin e, kështu e ndehu mbi letër imazhin përfundimtar, ku paraqiten vizatimet e portreteve të dy femrave (thuajse të dyja të kapura përanash (profil). Tek e fundit, ai bëri një  farë  montazhi fotografik, brenda teknikës së  vizatimit me dritë,  një bashkim fizik të dy imazheve të të njëjtit subjekt . Mili, në sajë të kulturës dhe fantazisë së tij, e dinte fare mirë  se si një statujë e bërë me tela, vizatimet në  hapësirë  duken ndryshe kur shikohen nga këndvështrime të  ndryshme (Mili Gjon-Libri i cituar, f.22). Këtë mendim ai e shtriu praktikisht me mjeshtëri në  këtë  fotografi të thjeshtë, por që e grish shikuesin për mjaft komente e diskutime.

    Kjo foto e grupit të madh të fiziogramave  futet në nëndarjen e “vizatimeve me dritë“, sepse paraqet subjekte  konkrete (dy femrat), madje me një farë marrëdhënie mes tyre, pra edhe një skenë të vogël. Siç dihet, fiziograma janë fotografime të lëvizjes (përgjithësisht në errësirë) të një burimi drite, kryesisht pikësor, pra të një lëvizje çfardo, pa paraqitur ndonjë send apo subjekt në zhvillim. Por, fotoja jonë e tejkalon përkufizimin e fiziogramës dhe mund të quhet pamëdyshje, “vizatim me dritë“,  sepse jo vetëm ka dy subjekte të njohura, por edhe si një skenë e vogël e një shfaqjeje dramatike.

     Ndoshta, Pikaso kur ka shikuar foton dhe ka dëgjuar shpjegimin e fotografit, ka vënë buzën në gaz për këtë gjetje të rrallë përfytyruese të Milit, çka dhe e ka kënaqur shumë. E natyrshme, por gjithsesi, fryt i një imagjinate jo të zakontë, karakteristikë e veçantë me vlerë e fotografit. Në të vërtetë, fotografi ynë ka pasur përpara opsione të shumtë për të bashkuar të dy shkrepje në një të vetme, në varësi nga vendet e aparateve. Mili zgjodhi këtë, natyrisht jo pa qëllim dhe, goditi në  shenjë.

    Njohës i mirë i marrëdhënieve njerëzore, Gjon Mili, mund të  ketë dashur të paraqes në foto përplasjen e përhershme midis brezave, në rastin tonë të dy femrave, një të moshuare dhe një të reje. Nga vështrimi i fotos shikuesit  menjëherë i shkon mendja  tek një grindje e të dyjave, kjo në sajë të aftësisë së Milit për të krijuar një skenë, në fakt të pa ndodhur.

   Mbase me këtë foto Mili ka përfytyruar sesi do tjetërsohej bukuroshja pas shumë vitesh, e kështu ai  ka vendosur para vajzës një pasqyrë (imagjinare), ku ajo mund të shikoj veten pas disa vitesh.

    Fotografia e mësipërme, me disa ndoshta, mbase, mund, ofron kumte të ndryshëm, çka do të thotë se Mili ja ka arritur qëllimit, jo vetëm në sajë të teknikës, por sidomos me përfytyrimin e tij duke krijuar një foto me shumë vektorë. / KultPlus.com

Të ngjajshme