28 Qershor, 2020 - 9:00 pm
“Xhulieta në ballkon” 1875 dhe “Xhuliea” 1877 nuk janë identike dhe rrjedhimisht secila prej tyre orvatet t’i qaset një mënyre të veçantë shprehëse, të ndryshtë njëra nga tjetra, thua se piktori ka dashur të na ngërthejë në një kuiz për njëren prej heroinave të dashurisë emblematike të Shekspirit, asaj të tragjedisë “Romeo dhe Xhulieta”. Këto dy tablo janë të të njëjtit autor, me dy vite diferencë njëra nga tjetra, të kohës së kurorëzimit si tablo të galerisë së tij. Nuk përjashtohet mundësia që Thomas Francis Dicksee ta ketë patur të porositur të njëjten personazh të tragjedisë shekspiriane nga dy klientë të ndryshëm. Dhe ai është kujdesur të mos krijojë të njëjtën gjë. Ndoshta njëra nga tjetra nuk dallojnë vetëm në atë vështrim kureshtar që kaplon dritimin e hënës veroneze. Enigma që rreket të dallojë Xhulietat është toni i ngjyrave që plazmon me një shkëlqim më të fortë dhe driton me një hënë më të vezullimtë. Shprehia e
portreteve është e ndryshtë, sepse e tillë është edhe ajo e fytyrës. Ndoshta edhe teknikat e realizimit, duke ardhur të perfeksionohen e bëjnë veprën pasardhëse të Xhulietës më të pranishme në atë çfarë tragjedia e “Romeo dhe Xhulieta” skalit hir dhe shpirtje. Që të dyja Xhulietat qëndrojnë në pritjen solemne në ballkonin e famshëm të vilës veroneze, ashtu në heshtjen e natës e trazimin e shpirtit që skalit në portretet dhe vështrimet e tyre një mister, njëjtësisht nga ai që dramaturgu i madh mbrujti në krijimin e shpirtit dhe shtatit, zjarrit dhe pasionit, dashurisë dhe vdekjes. E tillë tragjike vjen edhe në tablotë kjo dashuri e shëlbyer e një shpirti të paepur dëshirimi. Veç dritës së perëndishme që peneli i piktorit, ngjuhet në meitin e hënës dhe zjarrin e dashurisë, nuk ka asnjë dritë tjetër të bardhëdhuar në pritjen që do të mbetet përjetësisht e stampuar në memorien e fjalës dhe artit që e lartësuan në idil penën e tragjedianit të madh dhe e hyjnizuan këtë shprehi në magjepsjen e gjithëkohëshme. Secili do ta ketë të vështirë të bëjë dallimin e asaj rreth preferencave që e shtyjnë të pranojë njëren. Të dyja kanë pothuaj gjithçka që jetësimi artistik e ka skalitur. Solemniteti i kësaj pritje është i tillë sublim, sepse është nata që i bëhet prehje dhe hëna që lan me një ceremonial dehës të hirshmen e dashurisë. Piktori e shenjtëron tablonë dhe hyjnizon në një ikon vajzën dhe gruan, pasionin dhe besimin, vetë pritjen që trondit njëjt edhe sot pas kaq vitesh, që kur Xhulieta zbriti nga tragjedia per t’u ngjitur në tablo.
Cili është Thomas Francis Dicksee?
Thomas Francis Dicksee ishte një portretist dhe piktor i temave historike, zhanrit, shpesh i frymëzuar nga veprat e Shekspirit. Thomas Francis Dicksee u lindi në Londër më 13 dhjetor 1819 dhe ishte nxënësi i HP Briggs. Ai ekspozoi në Akademinë Mbretërore nga 1841 deri në vitin e vdekjes së tij. Vëllai, John Robert Dicksee, ishte gjithashtu piktor, dhe fëmijët e tij, Sir Francis Dicksee dhe Margaret u bënë mjeshtra të penelit.
Thomas Dicksee prodhoi një seri portretesh të anëtarëve të familjes, dhe gjithashtu pikturoi portrete të idealizuara, duke përfshirë personazhet shekspiriane si Ophelia, Beatrice, Miranda dhe Ariel. Një Xhulieta është në Galerinë e Arteve në Sunderland, dhe në Opera është në koleksionin e Galerisë së Arteve të Leicester. Një portret i Lady Teasdale është në Galerinë e Arteve Adelaide, Australi dhe një Ophelia (1875) gjendet në Muzeun e Arteve Mead, Amherst, Massachusetts. Dicksee do të bëhej veçanërisht i njohur për përshkrimet e tij të heroinave shekspiriane dhe ekspozoi gjithsej shtatë në Akademinë Mbretërore. Piktura të tjera të bojërave të vajit janë parë në disa ankande, duke përfshirë Christ of the Cornfield, Distant Thoughts, dhe piktura të Beatrice, Miranda dhe Amy Robsart. Vdiq në Londër më 6 nëntor 1895.
Albert Vataj /KultPlus.com