18 Nëntor, 2020 - 11:31 pm
Qytetin antik të Prizrenit së fundmi e ka zbukuruar instalacioni artistik në hapësirë publike ‘’T’pres n’derë-dritare’’ nga Valtida Shukriu, shkruan KultPlus.
Shukriu e cila vie nga një familje e Prizrenit, përtej studimeve të saj për drejtësi, merret aktivisht edhe me krijimtari. Rrugëtimi i saj me artin kishte nisur në vitin 2017, e cila nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë krijimin e profilit për dyert dhe dritaret e shtëpive të vjetra të Prizrenit.
Tanimë, kjo vlerë e trashëgimisë kulturore ka ardhur në formën e një instalacioni artistik në shëtitoren e lumit Lumbardh në Shadërvan të Prizrenit.
‘’T’Pres N’Derë-Dritare’’ përfshinë 8 dyer dhe 4 dritare që kryesisht i përkasin stilit otoman, nga shekulli XIX. Ndërsa përbrenda këtij instalacioni për të shikuar fotografitë e prezentuara të dyerve dhe dritareve ekzistuese është hyrë përmes dyerve të vjetra, që vizitorët të mësohen se si hapet dera e Prizrenit dhe të dilet nga po ajo derë.
Ky instalacion artistik vazhdon ende të jetë i ekspozuar në qytetin e bukur e antik, teksa prezantimi i 415 fotografi të dyerve, dritareve dhe aksesorëve të këtyre objekteve nga qyteti i Prizrenit është duke u bërë në profilin: https://www.facebook.com/prizrendoorsandwindows/ ./ KultPlus.com