2 Dhjetor, 2017 - 1:44 pm
Gili Hoxhaj
Trashëgimia kulturore si pjesë e rëndësishme e të tashmes, zuri mbrëmë të dy katet e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Mënyra se si ato ndaheshin në mediume e pjesë të ndryshme dukej sikur Heritage Space kishte sjellë një ekspozitë në vete në secilin projekt.
Brenda punimeve, kjo ekspozitë arrin të prekë shumë dimensione brenda platformës Heritage Space.
Kjo platformë ka mbledhur njerëz të fushave të ndryshme të cilët përmes kreativitetit të tyre krijues japin kontributin në trashëgiminë kulturore, kështu duke dëshmuar që kontributi në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore është i mundshëm nga çdo fushë e aspekt.
Projekti Heritage Space ka filluar që nga viti 2016, dhe përgjatë këtyre dy viteve kjo platformë ka përkrahur tetëmbëdhjetë njerëz kreativ nga fusha të ndryshme, të cilët kanë përdorur trashëgiminë kulturore si burim inspirimi, për t’i realizuar idetë e tyre.
Kjo platformë këtë vit kishte angazhuar edhe pesë mentorë të fushave të ndryshme të industrisë kreative të cilët punuan detajisht me pjesëmarrësit për të sjellë produkte kualitative, të cilat edhe mblodhën shumë vizitorë mbrëmë.
Në kuadër të këtij projekti për teknologji informative mentor ishte Milot Shala, në dizajn mode- Flutura Dedinja, në videokrijim- Veton Nurkollari, Jeton Jagxhiu për storytelling- interpretim si dhe Nol Binakaj për fushën e adaptimit të ndërtesave historike.
Përmes mediumeve e formave të ndryshme mbrëmë këto punime zunë vend në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Biçikletat e vendosura në fillim të hyrjes flisnin për “Tour de culture” – një aplikacion udhëtim çiklist nga Lirim Jusufi, Rinor Hatashi dhe Bardh Shasivari . Përmes këtij turneu çiklist janë përshkruar pjesë të ndryshme të Kosovës e ndërlidhjes së 365 kilometrave me mbi 50 monumente të trashëgimisë kulturore.
Projekti tjetër nga Baris Karamuço ka një titull të veçantë – “Memory Bank” i cili duke e parë se si tregimet e qytetit të Prizrenit zbehen me kohën duke qenë se jetojnë vetëm në kujtimet e njerëzve të moshuar, sjellë storiet e dokumentuara për kafenenë e parë në Prizren, si dhe për Diskon dhe DJ-n e parë në këtë qytet tradicional e të bukur.
Levent Butuci është emri tjetër i cili po ashtu sjellë rrëfime nga Prizreni, mirëpo ai e ngërthen në vete temën e besëtytnive, si qëndrojnë ato sot në raport me kohën. Po ashtu një projekt tjetër u prezantua nga Rina Geci, e cila sjellë hollësi nga gjeografia e Maleve të Sharrit, përmes punës dhe përkushtimit të saj vjen edhe katalog “Produkt i dashurisë mes maleve të Sharrit dhe të Prizrenit” , i cili pasqyron traditën e rëndësinë e djathit të Sharrit.
Tregimet në fushën e interpretimit, kanë një qendër të rrëfimit, Prizrenin.
Është ky qyteti i pasur me trashëgimisë kulturore, që ka nxitur punën e shumë artistëve. Shkrimtari prizrenas Roland Spahiu e ka vendosur në letër jetën e gjyshes së tij të cilën e quajnë “Anushi”. Duke qenë se Anushi është në moshë të shtyrë, zonjë që i ka përjetuar ndryshimet kulturore dhe sociale të një periudhe gati njëqind vjeçare, Rolandi synon që nëpërmjet elementeve të jetës së saj që ndërlidhen me qytetin e Prizrenit t’i nxjerrë në pah anët që lidhen me trashëgiminë kulturore.
E gjithë kjo ekspozitë vjen nën organizimin e Fondacionit Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Kosovo) e cila për shumë vite ka dëshmuar përkushtimin për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Po ashtu të pranishmit shpesh uleshin pranë ekraneve të vendosura në muret e Muzeut, ku diku përmes dëgjueseve, e diku të gjithë së bashku shijonin tregimet dhe video krijimet kreative të këtyre artistëve. Projekti tjetër në fushën e videokrijimit vjen nga ideatorja Flaka Xerxa, ku përfshihen Samir Karahoda dhe Ilir Bajri, të cilët e sjellin dokumentarin për bibliotekën kombëtare.
Në katin e dytë të Muzeut, kanë zënë vend puna e Petrit Ibrahimit, i cili sjellë një shëtitje virtuale në Muzeun Etnologjik. Përveç pamjeve 360°, gjatë kësaj shëtitje virtuale ai ngërthen edhe shumë informata për funksionin e kthinave të muzeut, eksponatet dhe informatat tjera, të gjitha këto të përcjella nën tingujt e “Haptic Space”.
Punimi i fundit në katin e dytë të muzeut vjen nga fusha e dizajnit, nga Petrit Kamberi, i cili ka bërë një koleksionim të veshjeve nga kostumet e punuara nga veku. Veshjet tradicionale shqiptare përmes punës së tij kthehen në veshje të përditshmërisë sonë.
Fusha e adaptimit të ndërtesave historike përfshin një punëtori dy javore të titulluar “Rijetësimi”, ekipi i së cilës kanë arritur që kullën e familjes Mazrekaj në Drenoc ta ritransformojnë në një vend atraktiv për turistët.
Arbenita Gashi nga organizata CHwB Kosovo, tregoi më shumë për qëllimin dhe projektet e organizuar në kuadër të platformës “Heritage Space”.
“Qëllimi i kësaj platforme është ndërlidhja e trashëgimisë kulturore me fushat e industrisë kreative. Ky projekt i ka dhënë hapësirë inovacionit në trashëgimi kulturore. Gjatë këtyre dy viteve kanë përfituar tetëmbëdhjetë individ të cilët kanë realizuar dymbëdhjetë projekte kreative. Pas thirrjes së parë që ka ndodhur, në vitin e parë të Heritage Space, e kemi parë të nevojshme që të angazhojmë dhe mentorë të cilët do të kujdesen edhe më shumë për kualitetin e produkteve që do të dalin nga kjo platformë. Trashëgimia kulturore nuk duhet të përceptohet vetëm si e kaluara me të cilën ne krenohemi, por si pjesë e përditshmërisë sonë”, ka thënë Arbenita Gashi për KultPlus.
Vizitorët kanë mundësi që edhe gjatë këtyre dy ditëve të njoftohen për së afërmi me produktet e kësaj platforme, e cila do të qëndrojë e hapur në katin e parë dhe të dytë të Muzeut Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com