1 Prill, 2025 - 1:34 pm
Në mjediset e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë u zhvillua faza e dytë e projektit “E kuqja e Onufrit”, aktivitet i cili realizohet në bashkëpunim me Qendrën për Hapje e Dialog (COD).
Në këtë fazë të dytë, aktiviteti kaloi në trajtën praktike, ku u përfshinë nxënësit e talentuar të liceut artistik “Tefta Tashko Koço”. Ata skicuan dhe dizenjuan ikonat e realizuara nga mjeshtrat Onufri dhe Shpataraku. Më pas, të asistuar nga specialistët restauratorë të Laboratorit të Restaurimit dhe Konsolidimit në MKAM, të rinjtë mësuan metodën e aplikimit të fletëve të arit mbi vepër.
Në përfundim, u krye kalimi në fazën e studios, ku zuri fill procesi i realizimit të pikturave.
Faza e parë e projektit “E kuqja e Onufrit” u krye në muajin shkurt, kur liceistët vizituan Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar dhe morën pjesë në një orë të hapur, duke zbuluar bukurinë e artit bizantin dhe mjeshtrat shqiptarë të tij./atsh/KultPlus.com