11 Prill, 2023 - 3:00 pm
Një rrëfim, si interpretim, nga një takim i Arsim Kajtazit me pikturën e Remzi Limanit në Lozanë të Zvicrës.
Tmerrin e tokës së djegur, sytë e zgurdulluar nga frika, klithmat e njerëzve në dallgët e përmbysëse të luftës, erën e blozës dhe hirin gjithandej, i kishte marrë me vete, me muret e shtëpive, që kishin mbijetuar së bashku me oxhaqet e ngritura lartë kah qielli. Sikur të kërkonin mëshirë dhe më shumë, sikur krekoseshin në qëndresën e tyre se prapë do të ndezët zjarri i shpresës… Po, po, të gjitha i kishte ngarkuar në kujtesë dhe i kishte marrë me vete….
Për të mos e bërë gjumin gjumë…
Në atë rrëmujë të njerëzve, që megjithatë në ikjen e madhe mitike, ndjehen ende me shpresën e jetës, përtej etjes së madhe dhe gërryerjes së zorrëve thuaja të zbrazëta, lindit ditën e shpresës dhe shpëtimit në një mes-zonë , midis jetës dhe vdekjes Artisti e ndjen peshën e rëndë të moteve në shpatulla dhe mundohet të ndërtojë një tendë të improvizuar për ta strehuar familjen, gruan me fëmijët, duke pirë ndonjë gllënjkë ujë, e ndonjë kore bukë, sa për të mbajtur shpirtin gjallë së bashku me kujtesën, dhe vullnetin e pakuptueshëm për të mbijetuar e dëshmuar!..
Nevoja për të lënë gjurmë arti është si nevoja për të mbijetuar e jetuar përtej kohës…Prej Bllaces janë degëzuar degdisjet në të katër anët e rruzullit. Toka mëmë mbet shkret, dhe mallkimi na ndjek gjithandej…por kumti i mbijetesës shkon përtej makthit qiellor dhe ankthit ! Identifikimi me heroin e kohës bartë porosinë:
„Unë jam gjallë, unë jam krijuesi! Ne jemi gjallë, oxhaqet e shtëpive tona prapë do të nxjerrin tymin lajmëtar!…“
Gjaku ynë ( i) lir degëzohet e rrjedh arterieve e kapilareve gjithandej Rruzullit! Ky Rruzull xurxull po zgjohet nga gjumi i një nate të gjatë dhe plotë makthe e ëndrra të tmerrshme!
Po shtrihej gjithandej qiellit porosia e madhe me lindjen e diellit:
„Ky popull që e ka krijuar (I) lirinë, dhe kaq shumë e donë lirinë për vetën dhe të tjerët , duhet ndihmuar për të shpëtuar nga kthetrat satanike, nëse duam ta shpëtojmë Rruzullin nga marrëzia!“
Në vend të kulmit të Shtëpisë, që ashtu të djegur e kishte marrë me vete , kishte vënë mbi krye të familjes një copë tende të shqyer , për t´u mbrojtur sadopak nga shirat që kishin qullosur gjithçka deri në palcë në Bllacën e shndërruar në llucë, duke mbetur në pritje shprese për të dalë nga ajo mes-zonë – jetë-vdekje!
Dhe aty kalitej durimi dhe shpresa se duhet mbijetuar edhe si i dërmuar fizikisht, shpirtërisht, i kafshuar nga hungërima ujqërish në kujtesë dhe ëndërr… Makthi kishte pllakosur në Kampin e përqendrimit të Bllacës dhe edhe Artisti po rriste dëshirën e mbijetesës , që në fund të fundit ta bënte të dukshëm e të zëshëm kujtimin e tmerrit, që kafshonte në ëndërr e ne zhgjëndërr!…
Turma pa mbarim njerëzish me shpirt ndër dhëmbë shkonin e vinin nga fusha e makthit…Shpresonin të dilnin nga ajo mes-zonë e vdekjes…Njerëzit përqafoheshin ne takime dhe ndarje… Para se të ndahej Artisti e kishte gjetur një copë pëlhurë, një kuti me ngjyrë gati të harxhuar këpucësh, një kavanoz gati të harxhuar me ushqim bebe dhe kishte nisur të përziej ngjyrën me ata pak ushqim të lëngshëm bebe , dhe kishte nisur të pikturojë me një copë shtage…
Në përfytyrim i shfaqej kujtimi i thadruar në kujtesë:
Shtëpia duke u djegur, mure të rrënuara rrethojash, me klithma njerëzish, oxhaqet që po qëndronin ende të forta, kryelarta kah qielli plot re, ca shkallë që dukej ngjiteshin deri në qiellin e shpresës…
Nga makthi qe ishte shtrirë tutje tehu pëlhurës së pikturuar në mënyrën më të çuditshme dhe të pabesueshme e zgjoj vaji i një fëmijë të sapolindur nën një tendë najloni …dhe këto dy lindje ia rritën dëshirën e mbijetesës përtej të këtij tmerri…
Artisti pati kohë sa ta kryej pikturën dhe si një flamur betejash , në duart e luftëtarëve të lirisë në tokën e djegur vendosi t´ia dorëzonte mikut të tij shkrimtar, një dhuratë zemre të mbijetesës së qenies njerëzore që e do ( i ) lirinë, një shenjë kujtimit të degdisjes nga mëmëdheu i djegur e rrënuar gjithandej, për ta dhënë kumtin e kushtrimit!…
Shkrimtarit iu bë se Artisti e zhveshi lëkurën e tij të sfilitur flamur betejash, dhe ia dhuroj . Në atë heshtje përshëndetjeje në degdisjet udhëve të Botës shpëtimtare shkrimtari e dëgjoi zërin e Artistit që ishte stepur:
“Kjo pikturë, me ngjyrat me të pabesueshme të rruzullit, është flamuri im i betejave të bëra, e të betejave që pritën të bëhen, nëpër kohën e ringjalljes se (I)lirisë, ta kesh një shenjë kujtimi nga miku i zemrës!… Mund ta ekspozosh në shtëpinë tënde të re, dhe në të gjitha Galeritë liridashëse! Është shenja ime që mbetëm gjallë!…”
U morën ngryk Artisti dhe Shkrimtari dhe familjarët e tyre, gratë, fëmijët, dhe e kapërcyen zonën e vdekjes…
Artisti kishte shkuar në Italinë e Da Vinçit, për të bërë piktura e ekspozita me dramën e Eksodit mitik të shqiptarëve , dhe e Shkrimtari në Zvicrën e Kafkës për ta rrëfyer prozën e jetës të futur në ballinat e librit ku shtrihej “Udha I “… / KultPlus.com