21 Dhjetor, 2023 - 12:39 pm
Sipas shkencëtarëve, një pikturë në vaj, që mendohet se është krijuar nga artisti i famshëm italian Rafaeli, paraqet një fytyrë që ai nuk e ka pikturuar.
Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar përdorën teknologjinë e inteligjencës artificiale për të analizuar “Madonna della Rosa” (Madonna e Trëndafilit), e cila u pikturua në fillim të shekullit XVI dhe besohet të jetë një nga shumë madonat e pikturuara nga mjeshtri i Rilindjes.
Piktura, e cila aktualisht është në muzeun ”Prado” në Madrid, Spanjë, është debatuar prej kohësh nga kritikët e artit, me shumë që sugjerojnë se nxënësi i Rafaelit, Xhiulio Romano mund të ketë qenë i përfshirë.
Disa besojnë gjithashtu se trëndafili dhe pjesa e poshtme e pikturës mund të jenë krijuar nga një artist tjetër.
Megjithatë, profesori Hassan Ugail, drejtor i Qendrës për Kompjuterat Vizuale dhe Sistemet Inteligjente në Universitetin e Bradfordit, tha se shumica e pikturës është me të vërtetë e Rafaelit, përveç fytyrës së Jozefit.
Ai tha se ”ne përdorëm fotografi të pikturave të vërtetuara të Rafaelit për të trajnuar kompjuterin dhe për të njohur stilin e tij në një shkallë shumë të detajuar, nga penelata, paleta e ngjyrave, hijezimi dhe çdo aspekt i punës”.
“Kompjuteri sheh shumë më thellë se syri i njeriut, në nivel mikroskopik dhe, kur testuam këtë pikturë në tërësi, rezultatet nuk ishin përfundimtare. Pra, më pas ne testuam pjesët individuale dhe ndërsa pjesa tjetër e fotografisë u konfirmua si e Rafaelit, fytyra e Jozefit doli me shumë gjasa si jo e tij”, shton ai.
Algoritmi i IA u zhvillua nga Ugail i cili tha se mund të njohë vepra autentike nga Raphael me saktësi 98%.
Rafaeli, emri i plotë i të cilit është Rafaelo Sancio da Urbino, u lind në Urbino, Itali, në vitin 1483.
Ai konsiderohet gjerësisht një nga mjeshtrit e mëdhenj të artit nga periudha e Rilindjes.
Gjetjet janë publikuar në revistën ”Heritage Science”./ atsh / KultPlus.com