“Ecejaket e mija” e Bija Jasiqit shënoi hapjen e kauzës së ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit përmes artit

21 Shtator, 2023 - 12:18 pm

Vjollca Duraku

Me ekspozitën “Ecejaket e mija”, piktorja Bija Jasiqi mbrëmë shënoi hapjen e ekspozitës së dytë personale e cila këtë herë erdhi në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, e cila ishte si simbolikë paraprijëse e muajit mbi ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit, që zyrtarisht fillon në muajin tetor, shkruan KultPlus.

“Ecejaket e mija” është ekspozita e dytë personale e Bija Jasiqit, e cila shpërfaqë ecejaket e rrugëtimit të piktores, gjurmët e të cilave tashmë shiheshin të jenë ndaluar shpesh tek imazhi i gruas në përgjithësi.

Në njërën nga 16 pikturat e saj paraqitej tema e kancerit të gjirit, që për koincidencë qëlloi pak para fillimit të muajit tetor, i cili shënon muajin e ndërgjegjësimit për mbrojtje nga kanceri i gjirit. Kështu kjo ngjarje  mori kthesë duke u cilësuar si paraprijëse e një muaji shumë të rëndësishëm për qytetarët e vendit.

Ngjarja veçse filloi me ardhjet e vizitorëve, të cilët qenë të shumtë në numër. Përshëndetjet dhe përqafimet e tyre të ngrohta me piktoren krijuan një energji mjaft të bukur mes të pranishmëve. Bisedat e tyre të ngrohta, shikimi nga afër i pikturave të vendosura në tre anët e mureve e buzëqeshjet e të pranishmëve, i jepnin ngjarjes edhe karakter socializues.

Për të hapur zyrtarisht këtë ekspozitë, fjalën hyrëse e mori drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila përveç falënderimeve për praninë e pjesëmarrësve, tha se ndihej e nderuar që piktorja në fjalë ekspozitën e kishte hapur në KultPlus Caffe Gallery, pasi pikturat i kishin sjellë vendit edhe më shumë ngjyrë dhe energji pozitive.

“Neve si KultPlus na ka nderuar me ardhjen e saj kjo zonjë e cila i ka sjell këto vepra me kaq shumë ngjyra, ashtu siç është edhe vetë personaliteti i saj. Bija Jasiqi është një grua që jo vetëm nga dukja, por besoj secili që e keni takuar e keni marr edhe energjinë pozitive që ajo shpërndanë. Ngjyrat e këtyre pikturave, përfaqësojnë pikërisht këtë gjë”, shprehet Pajaziti.

Drejtoresha Pajaziti, po ashtu tha se kjo ekspozitë në KultPlus Caffe Gallery, i paraprinë muajit tetor, muajit të ndërgjegjësimit për mbrojtje nga kanceri i gjirit.

“Në anën tjetër jemi të lumtur si KultPlus Caffe Gallery, që nëpërmjet ekspozitës së Bijes jemi duke i paraprirë muajit tetor, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Në mesin e pikturave e kemi edhe një pikturë që artistja ja ka dedikuar pikërisht kësaj kauze dhe nëpërmjet kësaj ekspozite po e nisim këtë rrugëtim për të ngritur vetëdijen për të gjitha gratë dhe pë t’i dhënë vëmendje kësaj kauze”, përfundoi Pajaziti.

Më pas fjala iu kalua piktores Bija Jasiqi e cila tha që meqë vlerësimi i artit është relativ, prania e shumë artëdashësve në këtë ngjarje, e begatonte edhe më shumë përmbajtjen dhe mesazhin e pikturave.

“Jam shumë falënderuese që keni ardhur. Këtë art që e kam punuar, unë e kam vlerësuar në mënyrën time, mirëpo vlerësimi i artit është relativ, do të thotë secili nga ju do ta begatoni si artdashës edhe përmbajtjen edhe mesazhet e këtyre pikturave. Besoj fuqishëm që s’do të hezitoni që të më tregoni atë çka e vëreni ju, sepse përmes jush unë do e plotësoj çka mundem”, ka thënë piktorja.

Ajo më tutje u shpreh e lumtur që njëra nga pikturat e saj do t’i dhurohej Organizatës Have Hope mbi ndërgjegjësimi e kancerit të gjirit, dhe se e vlerësonte reagimin e kësaj organizate që ta ketë këtë pikturë pjesë të sajën.

“Organizata Have Hope me drejtoreshën Arnisa Osmani janë lajmëruar të parët që ta kenë pjesë të tyre këtë pikturë. Unë kam menduar që do të ja dhuroj onkologjisë ose dikujt tjetër pasi në tetor fillon muaji i ndërgjegjësimit për mbrojtjen nga kanceri i gjirit, por tashmë u takon këtyre”, u shpreh Bija e cila tutje e ftoj Osmanin për një fjalë rasti.

Arnisa Osmani tha se është hera e parë që kauza e tyre po fillonte nëpërmjet artit dhe se krijimi i një vepre të tillë shënonte një vepër shumë të madhe për vet organizatën.

“Faleminderit shumë për këtë  vepër, pasi është hera e parë që nëpërmjet artit po hapet kauza kundër kancerit të gjirit, edhe pse nuk jemi në muajin tetor, unë gjithmonë them që tetori fillon me 1 tetor dhe mbaron më 30 shtator. E vlerësojmë shumë sepse për ne dhe organizatën tonë kjo është një vepër shumë e madhe”, ka përfunduar Arnisa.

Më pas në një prononcim për KultPlus, Bija tha se pikturat e saj gjithherë përmbajnë ngjyra të ndezura të cilat në njëfarë forme e paraqesin shpirtin e saj të ngrohtë. Ajo më tutje u shpreh se do të vazhdoj edhe më tutje me një krijimtari të tillë duke u bërë thirrje të gjithë pensionistëve që të jenë sa më aktiv.

“Ecejaket e mija më sjellën në art, dhe aty qe stacioni i fundit. Mirëpo nuk do të thotë që do të ndalem sepse kam zbuluar një teknikë të bukur një abstrakt modern dhe bashkëkohor, që ju pëlqeu shumë kolegëve të mijë. Do të vazhdoj të eci këtyre hapave t’u  bëj shumë motra dhe vëllezër këtyre pikturave. Unë jam mjaft në moshë dhe preferoj që të ju lë një mesazh të gjithë të moshuarve që të jenë aktivë si unë në krijimtari.”

“Rrapi i Prizrenit” (i vjetër mbi 500 vjet), “Lozonjarja e fishekzjarrëve”, “ Nëna gjidhënëse” ishin po ashtu piktura që binin në sy, e për të cilat Bija shpjegoi se çfarë ajo kishte shprehur.

Në mënyrë që ritmi i kësaj ngjarjeje të vazhdonte edhe më tej, u përkujdes band-i “Bulza me djemtë”, ku solistja Bulza Havolli, përmes këngëve të përzgjedhura shqipe në flladin e një nate vere, në ambientet e gjelbëruara të KultPlus Caffe Gallery, ishte qershia mbi torte e kësaj mbrëmjeje e cila u shijua pafund nga të pranishmit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë ku edhe adhuruesit  e pikturës do të kenë mundësi t’i shohin për së afërmi dhe t’i blejnë pikturat e saj të cilat janë në shitje. / KultPlus.com

Të ngjajshme