26 Shkurt, 2018 - 10:50 pm
Këtij slogani të kahershëm, thuhet në faqen zyrtare të këtij institucioni, që ka të bëjë me një ëndërr shekullore të shqiptarëve, tanimë iu shtua dhe një motiv tjetër: “Midis ëndrrës dhe realitetit”.
“Bac, u kry”, kështu nisë përshkrimin për ekspozitën e Eliza Hoxhës që është hapur në Tiranë, në faqen zyrtare të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ambinet ku edhe është hapur ekspozita, përcjellë KultPlus.
Këtij slogani të kahershëm, thuhet në faqen zyrtare të këtij institucioni, që ka të bëjë me një ëndërr shekullore të shqiptarëve, tanimë iu shtua dhe një motiv tjetër: “Midis ëndrrës dhe realitetit”.
Fotografi të cilat dokumentojnë rrugëtimin e shtetit të Kosovës prej viteve ’90 e deri më sot u shpalosen para publikut shqiptar në Tiranë. Nga pelikula e filmit janë zbardhur çaste lirie, ngazëllimi dhe entuziazmi në ditët e çlirimit, pavarësisë, por edhe sfida me të cilat sot përballet shteti i Kosovës, si çështja e të pagjeturve, grave shqiptare të prekura nga dhuna gjatë luftës, e deri tek mungesa e lirisë së lëvizjes.
Në këtë mënyrë Muzeu Historik Kombëtar dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, çelën ekspozitën personale të autores Eliza Hoxha me titull: “Midis ëndrrës dhe realitetit”.
Në çeljen e kësaj ekspozite ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini do të thoshte se 10 vite janë pak për Kosovën, por sipas tij, me siguri pas 10-të viteve të tjera shteti i ri i Kosovës do të ishte më i mirë dhe më i suksesshëm, sigurisht. “Ky përvjetor merr një rëndësi të veçantë pasi viti 2018 përkon dhe me 550-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, i cili po përkujtohet në të gjitha trevat shqiptare”, do të thoshte më pas ambadori Ukshini, i cili nuk do të harronte të vlerësonte dhe punën e autores së ekspozitës, Eliza Hoxha, që sipas tij është një artiste krejt e veçantë e cila ka shpërthyer talentin e saj në disa fusha të jetës.
Më pas fjalën e përshëndetjes do ta merrte drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi. “Ekspozita personale “Midis ëndrrës dhe realitetit” është një ekspozitë që na tregon të vërtetën historike të Kosovës. Luftën e saj për mbijetesë dhe fitoren mbi gjenocidin dhe dhunën sistematike serbe mbi shqiptarët e Kosovës. Vitet ’90 ishin të vështira për popujt tanë në të dyja anët e kufirit. Shqiptarët e Kosovës e gjetën veten e tyre duke kërkuar dhe luftuar për gjuhën, kulturën dhe vendin e tyre ndërsa shqiptarët e Shqipërisë luftonin për të drejtat e tyre ndaj një sistemi diktatorial. Në thelb të dy popujt kërkonin lirinë dhe plotësimin e ëndrrave, të cilat formësuan edhe karakterin tonë kombëtar”, tha Dr. Dorian Koçi. Më pas ai theksoi se bashkëpunimet mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Ambasadës së Kosovës janë iniciativa që pasurojnë kalendarin e përbashkët kulturor dhe zhdukin kufijtë administrativ mes dy vendeve tona.
Nga ana e saj autoria e ekspozitës, Eliza Hozha, e pranishme në këtë eveniment, do të shprehej se i përkiste një gjenerate që pati shumë ëndrra por që jo të gjitha mundën të ktheheshin në realitet. Ajo theksoi gjithashtu se i përkiste asaj gjenerate që përjetoi luftën, por dhe shpalljen e pavarësisë. Sipas Hoxhës, ekspozita e saj sjell në vëmendje atë që ka kaluar e që nuk duhet harruar asnjëherë.
Më pas të pranishmit vizituan ekspozitën në fjalë dhe u njohën me disa produkte të sjella nga Kosova enkas për këtë rast./KultPlus.com