22 Tetor, 2022 - 10:00 pm
Fotografi dhe skica të realizuara nga vetë Edith Durham, gjatë vizitave të saj në trevat shqiptare u shfaqën dje në ekspozitën për nder të ‘Mbretëreshës së Maleve’ që u hap në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor në mes Shqipërisë dhe Kosovës, përkatësisht Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar, përcjell KultPlus.
Në fjalën hapëse, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, u shpreh i lumtur për hapjen e kësaj ekspozitës “Miss Mary Edith Durham, Mbretëresha e Maleve” që nderon personalitetin e shquar të studiueses Edith Durham.
“Ekspozita është organizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht në mes të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar. Kalendari i përbashkët po shkon sipas planifikimeve.”, u shpreh Leci i cili shtoi se kësaj ngjarje u parapriu edhe hapja e ekspozitës për heroin kombëtar Sali Çekaj në Muzeun Historik Kombëtar.
Ndërkaq, në hapjen e kësaj ekspozite i pranishëm ishte edhe Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë i cili tha se është një kënaqësi e madhe për Muzeun Historik të Shqipërisë që të ndodhet për të dytën herë brenda këtij viti në Muzeun e Kosovës në përmbushje jo vetëm të obligimeve ndaj kalendarit të përbashkët kulturor, por si një dëshirë e madhe që ka nisur dhe ka vazhduar që me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit që ata bënë në nëntor të vitit të kaluar dhe mbi të gjitha me dëshirën për të risjellë dhe për të nxjerrë në dritë sekretet e historisë së përbashkët kombëtare.
Koçi u shpreh se hisotoria kombëtare shqiptare do të ishte jo fort e ndriçuar pa personaliteteve të rëndësishme të huaja të cilët kanë kontribuar në forcimin e identitetit kombëtar shqiptar, e një prej tyre sipas Koçit është Edith Durham.
“Ishte viti 1900 kur ajo ishte 37 vjeç që ndërmori një udhëtim për të ardhur në brigjet e bregdetit dalmat, në Kroaci, duke zbritur poshtë në atë që quhet Mali i Zi dhe për herë të parë ajo u njoh edhe me shqiptarët në viset e Malit të Zi ku shumë shqiptarë të malësive tona të veriut shkonin dhe vinin për të bërë Pazar gjatë asaj kohe.”, tha mes tjerash Koçi i cili më tutje shtoi se Durham i njohu shqiptarët dhe që nga ajo kohë pas shtatë udhëtimeve ajo u kthye në një nga studiueset më të rëndësishme albanologe të kohës, një etnografe e shkëlqyer, një antropologe, por mbi të gjitha edhe një personalitet i shquar i gazetarisë britanike me të cilën punoi për të drejtat e popullit shqiptar por edhe dha prognozat e duhura për sa i përket zgjidhjes së çështjes lindore apo edhe për çështjet ballkanike.
Ju kujtojmë që Edith Durham mbërriti për herë të parë në viset shqiptare në vitin 1904 ku edhe u njoh nga afër me historinë, gjeografinë, kulturën dhe traditën e këtyre zonave.
Edith Durham, apo siç njihet ndryshe si Mbretëresha e Maleve shqiptare njohu nga afër dhe ka pasur letërkëmbime me shumë prej personaliteteve të shquara të vendit tonë, si me Ismail Qemalin, Kristo Dakon, Dervish Himën, Mit’hat Frashërin, Pandeli Evangjelin, Faik Konicën, Lef Nosin, Mehmet Konicën, motrat Qiriazi, Aqif Pashë Elbasanin, Hil Mosin, Hoxhë Kadrinë, Bajram Curin etj./ KultPlus.com