Edon Muhaxheri impresionoi publikun prishtinas me rrëfimin e alfabetit të harruar shqiptar (FOTO)

2 Dhjetor, 2017 - 11:17 am

Gili Hoxhaj

Edon Muhaxheri është një emër që është lexuar jo vetëm në mediat vendore por edhe në ato të huaja. Një djalë i ri kthen sytë e botës dhe shqiptarëve kah historia dhe një alfabet i lënë në harresë.

Vëmendjen drejt tij e ka kthyer ekspozita e tij “Evetar”, e cila e sjellë alfabetin e harruar të gjuhës shqipe nga Abetarja e parë e Naum Veqilharxhit. Mbrëmë, Muhaxheri erdhi për ta sjellë më afër së kurrë për publikun prishtinas këtë rrëfim.

Rrëfimi i Edonit nuk ishte i zakonshëm. Mënyra se si ai e sjellë këtë rrëfim e bën atë edhe më të veçantë, me një komunikim të afërt dhe tejet origjinal, ai prek detajet e pothuajse secilit hap të tij. Çdo ulëse e hapësirës ku ai po prezantonte ishte zënë nga vizitorët që kishin ardhur për të dëgjuar detajisht punën e këtij artisti.

Fakti që ai kishte zgjedhur që përmes automatonit të tij të përpunojë alfabetin e parë origjinal të Naum Bredhit, nuk është e vetmja shenjë e dashurisë së tij për kulturën shqiptare. Nuk është vetëm puna e tij ajo që flet për dashurinë dhe pasionin që ai ka për këtë kulturë, ai me po këtë alfabet, me fontet që kishte krijuar ka shkruar disa fjalë si “Besa”, “Shqip”, “Shkrimi i mirë me shokë shumë”. Rrëfimi i tij në çdo pikë të fascinon për mënyrën se si ai e dëshmon këtë pasion e dashuri për atdheun.

Këtë dashuri ai e bart në çdo mundësi që ka dhe në çdo formë tjetër, madje dhe përmes dhuratave. Ai ka lënë rreth njëzetë plisa tek disa nga figurat më të shquara të artit në Amerikë, të cilët i ekspozojnë ato në zyrë dhe dhomat e tyre.
“Kur e dhuroj një plis, e dhuroj më shumë zemër, e dhuroj tek dikush që e di që po i dhuroj një pjesë të rëndësishme të popullit tim”, tha përplot emocion Muhaxheri.

Artisti për të dhënë një pasqyrë më të qartë të prezantimit të tij, mes rrëfimeve personale kishte përfshirë edhe fakte historike. Fillimisht, ai shpjegoi rëndësinë e gjuhës shqipe përgjatë historisë, dhe e paraqet atë si një gjuhë të padegëzuar në trungun e gjuhëve indoevropiane, dhe si një nga gjuhët më të vjetra. Ndërsa më pas tregon edhe për rrugën dhe Alfabetin e Parë të Shkrimit, i cili fillesën e parë e ka në Mesopotami.
“Automaton”, është një fjalë me të cilën nisë veprimtaria dhe triumfi i tij profesional, edhe pse fjalë jo shumë e njohur për publikun shqiptar, Muhaxheri edhe e ka bërë të pranishme brenda fjalorit të gjuhës shqipe. Për të sqaruar më shumë lidhur me këtë pajisje, ai mbrëmë prezantoi pamje të disa nga automatoneve me mekanizma më të thjeshtë e disa më kompleks në përmbajtje e funksion.

“Automatonet kanë qenë pajisje mekanike, mund t’i referohemi edhe si lodra por kanë qenë lodra jo të fëmijëve por të njerëzve të pasur, pra njerëz të cilët kanë pasur të holla që t’i kompensojnë fizicientet dhe artistët të cilët në atë kohë kanë qenë shumë shpesh të njëjtit njerëz. Automatonet kanë qenë shumë të njohur deri në zbulimin e rrymës elektrike sepse ka qenë një art i veçantë i imitimit të jetës përmes një mekanizmi të kurdisur”, shpjegoi gjatë prezantimit të tij Muhaxheri.

Ai është artist i diplomuar në RIT Kosova. Edon Muhaxheri është përfitues i bursës Fullbright në “Maryland Institute College of Art”, ku edhe prezantoi në maj temën e diplomës së Masterit në Artet e bukura. Rrëfimi i tij i pasur me eksperienca, prek edhe pikën kyçe të suksesit të tij që lidhet me shkollimin e tij në Amerikë. Amerika veç sa e vazhdoi shkëndijën e Edonit për një angazhim të tillë, sa artistik aq edhe historik, shkruan KultPlus.
“Para se të shkoj në MICA, kam qenë artist vetëm i ilustrimit digjital dhe nuk kam krijuar diçka me vegla, po edhe kam qenë i kënaqur me artin tim digjital dhe i kam parë gjithmonë më dhembshuri skulptorët dhe piktorët që i kanë zënë dhomat e mëdha me punën e tyre, kurse unë si depo e kam pasur një hard drive shumë të vogël, të cilin shumë lehtë e kam bartur me vete. Tash edhe unë jam bërë një prej atyre”, tha duke buzëqeshur Muhaxheri.

Ai më tutje rrëfeu një detaj të fillimit të studimeve në MICA, ku studentët e vitit të parë duhet të krijojnë një vepër të artit dhe ta shumëfishojnë njëzetë e pesë herë dhe më pas të provojnë ta shesin atë në panair të artit. Kjo, thotë Edoni, ndodhë pasi shteti amerikan i mëson artistët që nga fillimi që ta shesin punën e tyre. Kurse me Muhaxherin kishte ndodhur e kundërta, atij i ishte kërkuar që të punonte diçka e cila nuk do të shitej.

“Profesoresha kryesore e këtij panairi më thotë; unë e di që ti ke punuar në fushën e marketingut për pesëmbëdhjete vite dhe ti din të krijosh diçka që shitet andaj prej teje dua që të krijosh diçka që nuk shitet. Ti duhet të dalësh prej kufizimeve tua të zakonshme dhe të punosh me materialin dhe teknikat që ty të frikësojnë”.
“Carosellat” të cilat ai i kishte punuar për panair janë të vetmet që arritën të shiten të gjitha, madje atij i kërkohet edhe dyfishi i tyre.

Pikërisht këtu merr kahe edhe arti i tij. Ndërsa ideja për një automaton shkrues i lind pikërisht nga diskutimi me një kolege lidhur me një automaton të tillë në filmin “Hugo”. Ekzistimi i një automatoni të tillë, kishte qenë fillimisht sureal për artistin Muhaxheri, ndërsa e kishte futur një fotografi të këtij autmatoni në mesin e ideve që i kishte prezantuar për projektin diplomatik.

Edon Muhaxheri, Vithkuqi Alphabet, 2017

“Pas prezantimit të temave, profesoresha më thotë se “e para herë që e shoh se po të shkëlqejnë sytë për një punim, është kur po flet për këtë automaton shkrues” dhe ka insistuar që unë të punoj në automatonin. Pas një hulumtimi më të detajuar e pashë që automatonët shkrues kanë ekzistuar në realitet dhe ka të tillë që gjenden edhe në muze. Kur e kam parë fillimisht në film, kam menduar që është diçka imagjinare dhe nuk ka pasur në realitet gati robot të cilët kanë funksionuar pa rrymë, pra ka qenë diçka shumë misterioze për mua. Pasi që e vendosa ta krijoj vet një automaton shkrues, për këtë arsye vendosa që automatoni im të jetë shqiptar dhe të shkruaj shqip”, shpjegoi tutje Edoni.

Duke qenë se artisti Muhaxheri kishte dashur që punimi i tij të jetë më autentik, hulumtimet e tij synonin dokumentet më të rëndësishme të letërsisë shqipe gjatë viteve 1700 dhe 1800. Ai ndalet në vitin 1844, në vitin e shkrimit të Abetares së Parë Shqipe ku edhe rrëmbehet nga dëshira që automatoni i tij të shkruajë diçka prej Evetarit.

Pas hulumtimeve të tij të gjata, pikërisht në momentin kur ai gjendet në prag të dorëzimit, ai arrin të kontaktojë me historianin Niko Kotherja, njëkohësisht dhe Drejtori i Muzeut Kombëtar të Arsimit. Mes bisedave zbulon nga Kotherja që ai posedon një kopje personale të Evetarit, të cilën Kotherja e skanon dhe ia dërgon artistit.
“Kur ma ka dërguar Evetarin për herë të parë, më janë mbushur sytë me lot. Ka qenë e vështirë ta besoj që kam në dorën time një dokument kaq të vlefshëm”, tha mes rrëfimit Edoni.

Ai i përshkruan shkronjat e Naum Vexhilharxhit si shumë ilustrative, të cilat ai i ka studiuar dhe prej të cilave ka nxjerrë elementet më të rëndësishme tipografike duke i kthyer në shkronja të cilat mund t’i shkruajnë të gjithë.

Pak ditë më parë Edon Muhaxheri, kishte vizituar Korçën për tu takuar me Drejtorin e Muzeut Kombëtar të Arsimit për të kuruar lokacionin e këtij automatoni shkrues brenda hapësirës së Mësonjëtores së Parë Shqipe. Në mesin e shumë veprave të vjetra që gjenden në këtë hapësirë, kjo skulpturë moderne do të zërë vend të përhershëm brenda muzeut. / KultPlus.com

Të ngjajshme