Egzon Feka me çmim nderi për shndërrimin e fabrikës së vjetër në “çerdhen më të madhe në botë”

4 Prill, 2019 - 9:00 am

Kjo nuk është hera e parë që Egzon Feka nga Vushtrria, sjell në shtëpi një çmim të rëndësishëm nga fusha e arkitekturës.

Si një i ri i talentuar e me mjaft motiv për të punuar drejt një të ardhme të ndritur në një industri që kërkon shumë përkushtim, ai këtë herë u shpërblye me çmimin “Gold Mention”apo “Çmim nderi i artë” nga një juri tejet profesioniste në të cilën bënin pjesë UNStudio, Stefano Boeri Architetti, Bolles + Willson, Mario Cucinella, SAKO Architects e shumë të tjerë, shkruan Ndërtimi.info.

Shoqata YAC e cila ka për qëllim promovimin e konkurseve arkitekturore, kishte promovuar garën e quajtur “Kid’s Factory”, të cilën e kishte hasur Egzon Feka. E duke pasur parasysh nivelin e jurisë, ai vendosi që të hapë dokumentacionin e garës për të analizuar më tej kërkesat dhe qëllimin e saj. 

E kërkesat për pjesëmarrje ishin nga një fushë të cilën Feka e njihte shumë mirë, e e cila ishte “Adaptive Reuse”, që në shqip ka kuptimin e “Ripërdorimit Adaptiv”. Gara kishte për qëllim grumbullimin e ideve për të jetësuar një objekt të braktisur të një fabrike duke e shndërruar në çerdhen më të madhe në botë, gjë për të cilën ishin paraqitur shumë investitorë.

Ekipi JUNO i projektit “7 Journey” pas pranimit të “Gold Mention” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Milano, Itali.

Për Ndërtimi.info, ai ka treguar për projektin për të cilin ishte angazhuar një ekip katër antarësh përfshirë Enes Sever, Ipek Akin dhe Merve Kavas, që të katër student në Politecnico di Milano.

“Projekti jonë ‘7 Journey’ është një projekt shumë racional në raport me objektin ekzistues. Koncepti i projektit buron nga transformimi i shtatë elementeve të cilat i gjejmë në vizatimet e çdo fëmiu, në elemente arkitektonike. Ato janë: Dielli, Ylberi, Lulet, Malet, Shtëpia, Lumturia dhe Shoqëria. Të gjitha këto jemi munduar që t’i shohim si elemente arkitektonike dhe t’i integrojmë ato në objektin ekzistues, në mënyrë që të kontribuojmë në raportin e fëmijëve me natyrën, pasi që në botën teknologjike ky raport çdo ditë e më shumë po zbehet”, tregon Feka. 

Ndër 1255 ekipe nga 90 vende të botës, ekipi i tyre ia doli të nderohet me çmimin “Gold Mention”. Vitin e kaluar Egzon Feka së bashku me dy bashkëpunuesit e tij Ryo Kawamoto dhe Hanif Adi Ramadhan u shpërblyen me çmim nderi me projektin e rimodelimit te muzeut ekzistues Frank Lloyd Wright në garën “Gugenheim Museum Competition” e cila u mbajt në New York.

Të ngjajshme