6 Gusht, 2019 - 10:50 pm
Ekspozita “121 foto në 121 jetë suksesi” është prezantuar edhe në Strugë, përkatësisht në Festivalin “K’tu Fest”, ekspozitë kjo e organizuar nga Albanian Exellence” të udhëhequr nga Flora Nikolla, shkruan KultPlus.
Pas prezantimit të suksesit të 121 grave shqiptare nga të katër anët e botës, në presidencën e Shqipërisë, kjo ekspozitë tashmë po prezantohet edhe në vende tjera, dhe ndalesa e parë është Struga, ku kjo ekspozitë është prezantuar para një numri të madh të artdashësve.
Mirëpo, jo vetëm të pranishmit e kanë parë nga afër këtë ekspozitë. “121 foto në 121 jetë suksesi” që ka përfshirë gra të suksesshme nga profile të ndryshme, sonte është përshëndetë edhe nga ministrja e Ministrisë së Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti.
KultPlus ju sjellë këtë telegram të ministres Margariti, ku mund ta lexoni të plotë.
Të nderuar miq,
Me dëshirën për të qenë pranë jush, pranoni përshëndetjen time!
Jo shumë kohë më parë, një gazetar më pyeti nëse ministret femra ishin thjesht një numër në qeveri.
Në një vend me një të shkuar patriarkale, pyetje të tilla janë të shpeshta, por realiteti është tjetër gjë.
Ky aktivitet është më shumë se një përgjigje. 120 gra e vajza, ardhur nga kontekste të ndryshme sociale, ia kanë dalë, jo vetëm të tejkalojnë çdo lloj paragjykimi, por edhe të jenë zonja në profesionet e tyre: sipërmarrëse, mjeke, shkencëtare, ushtarake, gazetare, artiste, që na bëjnë të ndihemi krenare. Janë 120 zonja, që janë bërë bashkë nga një tjetër zonjë, Flora Nikolla, e cila i qëmtoi këto histori suksesi, duke na bërë shpresëplota se në Shqipëri ka kapacitete, që do ta çojnë vendin përpara.
Por edhe konteksti ku zhvillohet ky aktivitet është një përgjigje. “K’tu fest”, një festival, i organizuar nga një vajzë, tani zonjë nga Tirana, Olsa Maze Poshka, me bashkëshortin e saj, ruan traditën më të mirë të kulturës shqiptare, promovon gjuhën shqipe dhe me edukimin përmes kulturës, afron brezin e ri te arti dhe e bukura.
Nga ana tjetër prania e zonjave të nderuara (asgjëmangut zotërinjve të nderuar) të skenës shqiptare: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Yllka Mujo, etj., na bën të ndihemi jo vetëm me fat, që jetuam në epokën e tyre, por edhe që jemi gra dhe nuk jemi thjesht një numër./KultPlus.com