15 Prill, 2019 - 2:12 pm
Nuk hamendësoj aspak kur them se artistët e kanë një dëshirë sublime në pavetëdijen e tyre, një dëshirë që shkapetet sfiduese në shpirtin e ngarkuar emocionalisht e rishtas shpërndahet si jehonë në krijimtarinë e tyre.
Përmes veprave të tyre artistët duan të jetojnë me zë të lartë e mbase kjo dëshirë i bëri bashkë katër artistë, nga Kosova dhe Shqipëria, në një ekspozitë paksa të veçantë në llojin e vet, prejse sjell njëherësh para artdashësve, pikturë dhe fotografi. Lebibe Topalli, Pranvera Sylejmani, Hazir Reka dhe Rozafa Shpuza u tubuan me dëshirën për të sjellë në Shkodër, në këtë qytet të ngjizur prej legjendash e ngjarjesh unike në art e kulturë, ekspozitën 4N1.
Janë katër artistë, secili i veçantë në llojin e vet, me një karrierë artistike të pasur mbi supe, me ekspozita të hapura brenda dhe jashtë vendit, të dashuruar pas të bukurës, të pasionuar pas misterit të bojërave apo dritëhijeve të shkrepjeve, të mbarsur me muza krijuese, janë katër artistë që duan të jetojnë me zë të lartë. E parë nga një këndvështrim më i gjerë, ideja për të hapur një ekspozitë të përbashkët, ku ndërthuren estetikisht penelatat dhe shkrepjet, erdhi si dëshirë për t’i risjellë Shkodrës një emocion të kahershëm.
Ishte Kolë Idromeno, një prej piktorëve më të mëdhenj të Shkollës Shkodrane të Arteve Pamore, që në fillimet e tij iu përkushtua me shumë dashuri fotografisë, nën kujdesin e Pjetër Marubit, babait të fotografisë. Idromeno punonte me të njëjtin pasion në dyja fushat, pikturë dhe fotografi, të cilat, duke qenë të brendëzuara në artet pamore drejtpërdrejt ose tërthoras, ndikojnë pashmangshëm te njëra-tjetrën. Kështu, për të pikturuar kryeveprën e tij, “Motra Tone”, Kola përdori fotoportretin që i kish bërë motrës së tij të ndjerë, ndërsa piktura e mësoi të bënte fotografi artistike me një perceptim konceptual të admirueshëm. Duke pasur parasysh këtë piedestal unik, të ngritur prej artistësh shumëdimensionalë, që vunë gurët e themelit në artit shqiptar, Galeria e Arteve Shkodër, përzgjodhi këto katër artistë, sa të ndryshëm, aq edhe të ngjashëm në ndjeshmëri, për të ekspozuar dhe e për t’u servirur artdashësve punët e tyre në pikturë dhe fotografi./KultPlus.com