18 Prill, 2024 - 3:06 pm
Në ditën e ndërgjegjësimit, vëmendjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, DRTK Berat organizoi ekspozitën “Art & Trashëgimi”, të autorit Dritan Çoku.
Ekspozita solli në vëmendje rrezikun dhe faktorët e humbjes së vlerave monumentale. 26 skica të grafikës artistike pasqyruan objekte kulturore me vlera historike kulturore që mungojnë në qytetin e Beratit.
Skicat janë pjesë e ilustrimit të një pune kërkimore, studim monografik të një banese me çardak në qytetin e Beratit që tashmë nuk ekziston më, që prej vitit 1969.
Aktiviteti u zhvillua te Konakët e Teqes (zyrat e DRTK-së) ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve dhe nxënës nga shkolla artistike “Ajet Xhindole”.
“Kjo ditë vjen si një thirrje për të mbrojtur trashëgiminë tonë dhe vlerat e saj monumentale”, u shpreh DRTK Berat, në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve e Siteve./atsh/KultPlus.com