Ekspozita “Asnjëherë dhunë”, Sako: Prioritet i bashkisë Durrës, edukimi i brezit të ri për një shoqëri të drejtë

8 Shkurt, 2025 - 11:29 am

 Në qytetin e Durrësit u hap ekspozita “Asnjëherë Dhunë”, e cila vjen në gjuhën shqipe me mbështetjen e projektit të Këshillit të Evropës, “Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri”, i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA).

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ishte e pranishme në çeljen e kësaj ekspozite, ndërsa thotë se ky projekt synon të promovojë vlerat demokratike, të fuqizojë arsimin qytetar dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi të drejtat e fëmijëve duke kontribuar në mbrojtjen e tyre nga çdo formë e dhunës.

“Ekspozita i drejtohet nxënësve të shkollave 9-vjeçare, të përfshirë në projekt dhe jo vetëm, si dhe synon ndërgjegjësimin për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve. Mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi bashkia e Durrësit do të vijojë ta ketë prioritet të punës dhe gjithë përpjekjeve për edukimin e brezit të ri për një shoqëri të drejtë e të paqtë”, shprehet Sako në një postim në rrjetet sociale.

E konceptuar nga Instituti Suedez dhe e frymëzuar nga fjalimi i shkrimtares së njohur për fëmijë Astrid Lindgren, ekspozita përçon mesazhe të fuqishme kundër dhunës përmes një kombinimi të teksteve dhe ilustrimeve frymëzuese./ KultPlus.com

Të ngjajshme