24 Shkurt, 2020 - 4:20 pm
Me qëllim dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe inkurajimin e shprehjes së duhur të përkujtimit dhe respektit për të pagjeturit në Kosovë, Dardan Hoti, Rozafa Kelmendi dhe Fitim Selimi hapën sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ekspozitën ‘Ballafaqimi me të harruarën’.
Fotografitë dhe rrëfimet që u shfaqen përmes kësaj ekspozite ishin një triptik që kanë në fokus një të mbijetuar, nëpërmjet rrëfimit, kujtimeve dhe lidhjeve emocionale të së cilit/cilës, portretizohet edhe personi i pagjetur.
Secila nga fotografitë, e ndarë në tri pjesë, përcjellte tri narrativa të personit të fotografuar që lidhen me kujtimet, mungesën dhe jetën e tyre pas humbjes së personit të tyre të dashur.
Dardan Hoti, autor i kësaj ekspozite thotë se ky është një dokumentim për shkeljet e të drejtave të njeriut që bëhet tash e disa vite.
“Kjo ekspozitë është një dokumentim që e kemi bërë një ekip i njerëzve, duke pasur qëllim që të dokumentojmë shkeljet e të drejtave të njeriut që po bëhen tash e shumë vite, me zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Jeni duke parë fotografi të familjarëve që ende kanë zbrazëti të madhe duke mos pasur asnjë lajm për fatin e shumë të të pagjeturve”, ka thënë Hoti për KultPlus duke treguar tutje që në këtë ekspozitë janë përfshi 16 rrëfime, personazhet e së cilës kanë ende një pyetje.
“Në vitin 2014 kur i kemi realizuar intervistat me familjarë, me Rozafë Kelmendin dhe Fitim Selimin i cili i ka realizuar fotografitë, 16 prej tyre nuk din ende asnjë informacion për 28 familjarë. Tash në vitin 2020, kur ne i dhamë një formë tjetër zërit të familjarëve të të pagjeturve, prej 28 personave të pagjetur, është gjetur vetëm një. D.m.th. për gjashtë vite është gjetur vetëm një person. Kjo tregon që kjo çështje nuk është trajtuar dhe nuk është vendos asnjëherë si prioritet. Pra, vetë ekspozita është një thirrje për të ju plotësuar zbrazëtirat shumë familjarëve që nuk e dinë ku i kanë pjesëtarët e familjes së tyre.”
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 29 shkurt, 2019 dhe është mbështetur nga forumZFD-Programi në Kosovë përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). / KultPlus.com