27 Dhjetor, 2024 - 7:00 pm
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja u shpreh sot, përmes një postimi në rrjetet sociale se ekspozita “Bashkëbisedim me Mjeshtrat” me kuratore Merita Selimi, ka sjellë në hapësirat e Galerisë FAB një pasqyrim të artit shqiptar, ku dallojnë teknikat tradicionale të ndërthurura me atë të artit bashkëkohor shqiptar.
“Kjo ekspozitë, si një bashkëpunimin i brezave të rinj me mjeshtrit e mëdhenj të artistëve shqiptar, solli një shpalosje të artit në larmishmëri teknikash si nga metoda e krijimit të telajos, gruntit dhe ngjyrave. Arti shqiptar, ndihmon jo vetëm studentët që të zhvillojnë aftësitë e nevojshme, por edhe për të krijuar, analizuar dhe interpretuar veprat në mënyrë shumëdimensionale”, tha ai.
Ekspozita, e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka si qëllim të thellojë lidhjen ndërmjet studentëve të arteve dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, duke i futur ata në thellësi të veprës së artit të traditës dhe bashkëkohësisë shqiptare./ KultPlus.com