31 Gusht, 2018 - 4:30 pm
Dje, në hapësirat e ekspozuese të Muzeut të Kosovës, është hapur Ekspozita “Data: mars”, e cila risjellë në kujtesë aktivizmin, organizimin dhe mobilizimin politik të grave në vitet e 90-ta, shkruan KultPlus.
Ekspozita përmban materiale e burime të ndryshme të paraqitjes së momenteve kyçe që shpërfaqin kontributin dhe përpjekjet e grave aktiviste në atë periudhë. Në atë dhjetëvjeçarë të vështirë, ndër segmentet e tjera të shoqërisë, gratë aktiviste kanë ditur më së miri të përçojnë mesazhe politike e civile në frymë, mjete e metoda qytetëruese.
Është e jashtëzakonshme fotografia që Kosova i kishte dërguar botës, ditën kur mijëra gra, simbolikisht, me nga një bukë në dorë, u nisën këmbë në Drenicë për të kundërshtuar dhunën dhe masakrat ndaj civilëve që kishin filluar atje. Gratë aktiviste me nga një bukë në dorë në njërën anë, dhe armët, tanket e blindat përballë tyre, në anën tjetër. Një e tillë heqje maske ndaj atij regjimi, nuk mund të ishte më kuptimplotë.
Akte dhe shembuj të tillë pozitiv që ka prodhuar shoqëria jonë në të kaluarën në kushte të rënda, për institucionet e trashëgimisë kulturore sot, janë obligim për t’i risjellë në kujtesë secila sipas mandatit, veprimtarisë dhe misionit të vet. Muzeu i Kosovës, ka mirëpritur ftesën për bashkëpunim në këtë ekspozitë e cila është realizuar falë Memorandumit tre palësh ndërmjet: Muzeut të Kosovës, Forumit ZFD – Programi në Kosovë dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në UP si dhe me mbështetjen e Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik të Gjermanisë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun e Kosovës, deri më datë 28.09.2018./ KultPlus.com