26 Tetor, 2021 - 2:25 pm
Kolonia Ndërkombëtare e Arteve Figurative “Ditët e Mios” është kthyer në një traditë tashmë për qytetin e Korçës.
Ekspozita e veçantë që u hap në ambientet e teatrit A.Z.Çajupi solli në vëmendjen e publikut korçar peizazhe të mrekullueshme nga Korça dhe rrethinat.
15 artistë nga vende të ndryshme të botës, i dhanë jetë natyrës përmes kësaj ekspozite, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datë 28 tetor.
Pjesa më e madhe e punimeve janë në gjininë e peizazhit dhe kompozimit ,ku kanë mbizotëruar prirja e artistëve drejt kolorizmit ,por edhe individualizmit të fortë artistik,ku harmonizohet stili klasik me atë modern.
Vjeshta me ngjyra mbresëlënëse e Dardhës, Vithkuqit, apo Voskopojës si dhe ashpërsia dhe madhështia e relievit malor të zonave përreth Korçës, të cilat frymëzuan Mion dhjetëra vite më parë, nuk mund të linin indiferentë artistët e tjerë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, apo të huajt, të cilët vinin për herë të parë këtu. /atsh/ KultPlus.com