20 Dhjetor, 2017 - 10:47 am
Galeria Kombëtare e Kosovës prezantoi mbrëmë ekspozitën e artistes së famshme me prejardhje nga gjermane, Rosemarie Trockel, ndërsa kjo mbrëmë erdhi me anë të kuratores An Paenhuysen, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Punimet e saj, të cilat vijnë përmes mediumeve e materialeve të ndryshme tregonin se artistja është e dëshmuar më një stil, i cili vështirë se përcaktohet vetëm me një veçanti. Shumica e punimeve të saj janë pa titull, mirëpo të plota sa i përket përmbajtjes, madje shpesh të ftojnë në një depërtim më të thellë për të kuptuar mesazhin e saj. Në katin e dytë të Galerisë, shumë prej punimeve të saj përbehen prej vijave nga lapsi dhe fllamasteri duke theksuar kështu tiparet e figurës së njeriut, e ndonjëherë edhe të kafshëve. Fotografitë e saj disa vijnë me ngjyra dhe disa në dy ngjyra të vetme: bardhë dhe zi, ndërsa kjo ekspozitë sjellë kryesisht punën e viteve të 90’ta të artistes.
Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani filloi hapjen e kësaj ekspozite, të cilën e cilësoi si shumë të rëndësishme për Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ajo tha se kjo ekspozitë e cila ka mbushur të dy katet e Galerisë është e tëra meritë e Institutit për relacione ndërkombëtare gjermane e mbështetur nga Ambasada Gjermane në Prishtinë dhe MKRS-ja, ndërsa theksoi se kjo ekspozitë është rezultat i vizitës së Sekretarit të Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Marten Mengeri i cili e ka vizituar Galerinë.
Pas saj kjo ekspozitë u pasua me fjalimin e ambasadorit gjerman në Kosovë, Christian Heldt, i cili falënderoi të gjithë bashkëpunëtoret që mundësuan hapjen e kësaj ekspozite. Ndërsa shtoi se kjo artiste gjermane ka shërbyer në thyerjen e kufijve të deriatëhershëm në Gjermani.
“Kam kënaqësinë që para Vitit të Ri, që të keni mundësinë që të keni një pikë spikatëse siç është ekspozita e Rosmarie Trockel. Punët e saj kanë trajtuar gjithmonë aspektet e të qenit femër, pasi që ajo ka qenë artistja e parë femër që ka prezantuar pavijonin gjerman në Bienalen e Artit, gjë që ka qenë një thyerje e kufijve të deriatëhershëm apo ndoshta është një gjë që akoma mbizotëron edhe sot, që kjo fushë të jetë e dominuar nga meshkujt”, tha ambasadori Heldt, i cili shtoi se pjesëmarrja e të pranishmëve në këtë ekspozitë tregon se kjo temë është shumë e pranishme edhe sot në Kosovë.
Edhe pse artistja kësaj ekspozite Rosmarie Trockel mbrëmë erdhi vetëm përmes veprave të saj, kuratorja An Paenhuysen, e cila foli në emër të Institutit për marrëdhënie ndërkombëtare (IFA), tha se ndihet e nderuar që të hap këtë ekspozitë të një artisteje si Rosmarie Trockel.
“Ju do të shihni në ekspozitën e Rosmaries se ajo ka sjellë punimet përmes mediave të ndryshme, pasi që ajo paraqet fotografi, vizatime, video, e instilacione dhe po ashtu ajo punon edhe me materiale shumë të ndërlikuara siç janë leshi dhe floku. Ajo në punimet e saj ka përfshirë bashkëpunime të shumta me media, aktorë, fotografë dhe kafshë”, tregoi kuratorja Paenhuysen.
Paenhuysen, duke qenë se e njihte për së afërmi artisten tregoi se ajo karrierën e saj e ka filluar në Koln dhe në gjithë veprat e saj është i pranishëm feminizmi dhe kështu ajo ka formuluar një lloj kritike për artin në përgjithësi, ndërsa shtoi se ajo në veprat e saj përdor edhe në një lloj humori të butë.
“Ajo e do atë që ka dykuptimësi dhe kjo mund të vërehet edhe në portretet e saj ku ajo trajton çështjen e identitetit”, tha Paenhuysen gjatë ceremonisë hapëse ndërsa për KultPlus, tregoi në mënyrë më të detajuar për çështjen e feminizmit të paraqitur në veprat e kësaj autoreje të njohur gjermane.
“Ajo edhe pse është feministe nuk dëshiron që gjithmonë të shihet vetëm si feministe pasi që ajo thotë se nuk do duhej që gjithmonë ekspozitat e tyre të kenë të bëjnë vetëm me gjininë”, pohoi kuratorja ndërsa tregoi se piktura e saj e preferuar nga kjo ekspozitë është “The sleeping man” pasi që thyen sterotipet që nuk duhet të paraqiten gjithmonë vetëm gratë si të mërzitura dhe duke mos u marrë me diçka tjetër.
AnPaenhuysen është kuratore e pavarur, teoriciene dhe mësimdhënëse e artit që jeton në Berlin. Ajo ligjëron për kulturën dhe teorinë e artit në Qendrën Node për studime kuratoriale. Ndërsa këtë javë ajo ka mbajtur një punëtori në Galerinë Kombëtare të Kosovës, me temën “Gratë në Art në Gjermani” , ku ajo thotë se është ndjerë e mahnitur nga diskutimi dhe nga fakti se në këtë punëtori ka pasur pjesëmarrës edhe të gjinisë mashkullore.
“Ky trajnim ishte shumë interesant, pasi që për njerëzit ishte e çuditshme të dëgjojnë për Gjermaninë pasi që kemi një kancelare siç është Angela Merkel dhe mendojnë se si pasojë e kësaj gjithçka rrjedh shumë më mirë, por mendoj se gati çdo kund është njësoj por edhe pse përballemi më gjëra të njëjta çdo ditë por unë mendoj se gjërat po ndryshojnë, madje po ndryshon edhe mënyrë se si po shihet feminizmi duke pasur parasysh kampanjat dhe zhvillimet e fundit”, tregoi Paenhuysen.
Për të gjithë ata që duan të njihen për së afërmi me punën e artistes gjermane Rosmarie Trockel, kjo ekspozitë do të qëndroi e hapur deri më 12 Janar në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com