25 Shkurt, 2018 - 3:30 pm
Ambasada e Kosovës në Tiranë, në kuadër të organizimeve me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, sjell në Tiranë ekspozitën personale të Eliza Hoxhës “Midis ëndrrës dhe realitetit”.
Ekspozita e Eliza Hoxhës, këngëtare e njohur e pedagoge në Universitetin e Prishtinë, sjell copëza nga përpjekjet e shqiptareve të Kosovës në rrugëtimin e realizimit të ëndrrës për Kosovën shtet.
Po ashtu edhe momente lirie, ngazëllimi dhe entuziazmi në ditët e çlirimit, pavarësisë, por edhe sfidat me të cilat sot përballet shteti i Kosovës, si çështja e të pagjeturve, grave shqiptare të prekura nga dhuna seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e deri tek mungesa e lirisë së lëvizjes.
Ekspozita do të mbahet në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë më 26 shkurt nga ora 19:00 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt. / KultPlus.com