14 Prill, 2024 - 9:47 pm
Disa ish-të burgosur politikë u rikthyen në ish-burgun e Spaçit për të ndarë historitë e tyre me brezat e rinj.
Takimi u organizua me rastin e ekspozitës “E kaluara e tashme” e mbështetur nga programi EU4CULTURE.
Nëpërmjet skulpturave dhe regjistrimeve të 49 ish-të burgosurve politikë, kjo ekspozitë kujton vuajtjet, por edhe qëndrueshmërinë e popullit shqiptar dhe në këtë mënyrë nxit një diskutim të mirëfilltë për të kaluarën e Shqipërisë.
Ambasadori i BE-së, në vendin tonë, Silvio Gonzato e cilësoi prekës takimin me të mbijetuarit e burgut të Spaçit.
“Takimi me të mbijetuarit e burgut të Spaçit, një prej burgjeve më brutale të regjimit komunist në Shqipëri, ishte vërtet prekës. Të dëgjuarit e historive të tyre më kujtoi se ka mbetur shumë për të bërë në ballafaqimin me të kaluarën. Më vjen mirë që kaq shumë të rinj erdhën në Spaç për të takuar të mbijetuarit. Ata duhet të kuptojnë se nga vijnë dhe çfarë ka kaluar Shqipëria. Njeriu duhet të shërojë plagët e së kaluarës duke adresuar të drejtat e viktimave. Jam krenar që e mbështetëm këtë event, por kjo nuk mjafton. Ish-burgu i Spaçit po përkeqësohet me shpejtësi, ndërkohë që duhet ruajtur në mënyrë që ne të kujtojmë atë që ndodhi këtu dhe të themi: kurrë më”, u shpreh ambasadori i Gonzato./atsh/ KultPlus.com