16 Tetor, 2019 - 10:55 am
Qendrim Badalli
Në mbrëmjen e djeshme, hapësira e Unionit Europian në Kosovë ishte e stërmbushur. Aty dominonte gjinia femërore. Ato kishin një arsye më shumë të bëheshin pjesë e ekspozitës që për çdo minutë pritej të hapej. Ekspozita e djeshme quhej “Gruaja”, ku përmes një numri të madh pikturash, është shpalosur puna e Mimoza Studenicës, shkruan KultPlus.
Në hapësirën e shoqëruar me muzikë dhe me tavolina gjithandej, ti ke mundur të fotografosh piktura të bukura të vendosura në muret e atij ambienti, apo thjeshtë të ngresh dolli me një numër shumë të madh të të pranishmëve në këtë ekspozitë.
Siç e do rendi, të pranishmit po i priste me përshëndetje e përqafime Studenica, dhe të cilët më pas filluan të ambientoheshin me radhë. Gjithçka ishte gati që të fillonte edhe zyrtarisht kjo ekspozitë e cila morri vëmendjen shumë shpejt dhe lehtë të të gjithë mysafirëve aty. Ç ‘do gjë fliste qartë dhe zëshëm.
“Kjo është ekspozita ime e dytë dhe quhet “Gruaja”. Arsyeja se përse e kam quajtur kështu është se gruaja është shtylla e shoqërisë”. Kështu e filloi fjalën e saj hyrëse Studenica, e cila u tregua fjalëpak në hapjen e ekspozitës por jo edhe në intervistën e saj për KultPlus.
Ajo ka thënë se motivet i kam marrë nga jeta e zakonshme që bëjnë gratë në vend, teksa ka vlerësuar pozitën e gruas në shoqëri.
“Tematikat dhe motivet i kam marrë nga përditshmëria. Titulli i ekspozitës quhet “Gruaja” sepse ajo është shtylla e shoqërisë”.
E pyetur nëse do të vazhdonte edhe me ndonjë cikël tjetër të po të njëjtës temë, ajo është shprehur skeptike dhe ka thënë se është gjithmonë në kërkim të sfidave të reja.
“Kjo është temë në vete. Unë mendoj ta sfidoj veten edhe në teknika tjera edhe në gjëra të tjera meqë unë gjithmonë jam në kërkim edhe në teknika edhe në tema. Në këtë lloj të teknikës, të teknikës së letrës, kërkohet durimi dhe imagjinata”.
Mbrëmja po vazhdonte me një atmosferë shumë miqësore dhe në një klimë spontane ku të gjithë dukeshin të buzëqeshur dhe të kënaqur me punën që po shihnin përballë. Ndoshta se shumica ishin gra, ndoshta se ekspozita i dedikohej “Gruas”. / KultPlus.com