12 Shtator, 2024 - 10:50 pm
Rreth 80 foto-arkiv të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po ekspozohen për vizitorët dhe dashamirësit e monumenteve në kalanë e Gjirokastrës.
Vetë kalaja monumenti më i vizituar kulturor i kësaj vere në Shqipëri shfaqet në disa nga fotot për të bërë të mundur edhe vëzhgimin e transformimeve prej ndërhytjeve restauruese dhe kohës.
“Po prezantojmë monumentet e kulturës, por edhe punën që është bëra nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore ndër vite që në themelimin e tij dhe deri tani. Kemi sjellë edhe disa materiale promocionale në formë kartolinash të monumente të ndryshme të kulturës në Shqipëri për t’ja dhuruar turistëve që të kenë një kujtim nga Shqipëria dhe nga kjo ekspozitë, gjithashtu kemi vendosur edhe një libër në të cilin mund të japin mendimet e tyre” – shprehet Kejda Lampe, specialiste e insitutit kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Ekspozita prezanton imazhe të monumenteve si teatri i Butrintit, gjetje arkeologjike të rralla, pamje të monumenteve mesjetare të kultit, ura, rrugë, akuadukte, piktura murale dhe ikona.
“Ne kemi ekspozuar një pjesë të arkivit tonë për të treguar ndryshimet që ka pësuar monumenti dhe restaurimet që janë bërë gjatë kohëve në vijim që nga themelimi i institutit tone” – shprehet Andrea Pambuku.
Ekspozita me fotot e realizuara në periudha të ndryshme dhe e sjellë në prag të 80 vjetorit të Çlirimit po shëtit në disa qytete të vendit dhe përfaqëson njëkohësisht një kolazh memorie edhe për njerëzit që i shërbyen trashëgimisë gjatë shekullit të fundit./TopChannel/KultPlus.com