21 Janar, 2019 - 4:57 pm
Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, sot u hap ekspozita personale e artistit Rifat Kasapolli, e kuruar nga profesori Ilir Muharremi, shkruan KultPlus.
Para një numri të konsiderueshëm të të pranishmëve ekspozitën e hapi kuratori Muharremi i cili e cilësoi ekspozitën si shumë e veçantë, si në aspektin artistik po ashtu edhe atë kuratorial.
“Lecka, me materiale prej teksasit, kadifes që japin forma abstrakte, por edhe reale, e veçonin ekspozitën”. Sipas tij, ky ishte vetëm nje cikël pa titull me qëllim që vizitori t’i vendos vet titull punimeve, të jenë sa më shumë subjektive kur ballafaqohen me to. “Ka edhe elemente erotike, brenda formave abstrakte, vetëm se vizitori duhet të koncentrohet më shumë dhe punimet përveçqë janë dydimensionale ato janë edhe tridemensionale, instalacion në pikturë. Vizitori mund edhe të luan t’i prek të ja u ndrroj format, të jenë sa më afër tyre”, thotë kuratori.
Muharremi shprehet se arsyeja përse artisti nuk përdorë ngjyra si akrilik, ose vaj është e qëllimshme që ngjyrat të jenë natyrale ashtu si janë materialet e vjetërsuara, të cilat artisti mundohet më shumë ti vjetërsoj.
“Xhinset e prera, të dala jashtë mode, të përgjysmuara, me pozicion të këmbëve femërore të hapur si simbol erotik, forma edhe te aeroplanëve, pastaj forma edhe të pushimoreve, shkronja, mbishkrime, xhepa, kofsha femërore të krijuara prej xhinseve dominonin. Ato xhinse të dala jashtë mode, janë përpunuar me forma të ndryshme nga artisti. Ka edhe të brendshme fëmorer të fshehura të cilat janë shumë të vjetra. Fuqia e kësaj është që vizitori mund edhe ti prek, ti përjeton ato të brendshme të vjetra”, thotë kuratori Muharremi.
Ndërsat, artisti Kasapolli tregon për punën e tij 40 -vjeçare me tekstil.
“Unë këtë zanat e kamë mësuar nga gjyshi, zanatin e rrobaqepësisë, kam përfunduar Akademinë e Arteve dhe merrem shumë vite edhe me art”, shprehet Kasapolli.
Sipas tij, zanati dhe arti kur bëhen bashkë krijojnë një fuqi artistike.
“Jo veç në këtë epokë, por edhe në epokat e më hershme, zanati ka bashkëpunuar me artin, të dyja këto shkojnë bashkë”, tha ai.
Në ekspozitë u ekspozuan instalacione të cilat janë me formate të mesme si dhe formate të mëdha. Ekspozita do të jetë e hapur dy javë dhe të gjtiha punimet janë edhe në shitje./ KultPlus.com