5 Shtator, 2024 - 10:52 pm
Piktori i famshëm pogradecar, Anastas Kostandini (Taso) hapi dje ekspozitën e tij personale në Hollin e Kryeministrisë, organizuar nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), me praninë e kryeministrit Edi Rama.
Ceremoninë e hapi Drejtorja e re e COD, gazetarja e mirënjohur e TCH, Jetona Koçibelli.
“Taso është një artist i cili ndërthur poezinë dhe pikturën për të krijuar një univers të lidhur ngushtë me qytetin e tij të lindjes, Pogradecin. Pikturat e tij përfshijnë një gamë të gjerë peizazhesh, portretesh dhe kompozimesh që përshkruajnë jetën e përditshme dhe natyrën e qytetit, e në këtë ekspozitë ato vijnë të shtresëzuara në dekada krijimtarie, duke na mundësuar të ndjekim evolucionin e gjuhës piktorike të Tasos”, tha Koçibelli.
Vetë Taso, foli me emocione të mëdha, duke e cilësuar këtë ekspozitë vetjake në COD një kulm të lartë të vetin.
“Megjithëse ndodhem larg këtij poli qendror ngjarjesh, dua të mendoj se jeta dhe krijimtaria ime nuk është e panjohur për publikun e artit në Shqipëri, largësia ime fizike nga kryeqyteti nuk ka ndikuar aspak në këmbënguljen, pasionin, dëshirën për të eksperimentuar dhe kureshtjen për të njohur çdo ditë e më shumë”,u shpreh Konstandini.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij, veçoi vlerat piktorike të Tasos dhe beri thirrje që çdo mendje dhe forcë krijuese t’i bashkohet COD./TopChannel/KultPlus.com