Ekspozita e Yll Xhaferit, pallat i ndërtimeve dhe i pritjes njerëzore

16 Gusht, 2018 - 9:42 am

Arbër Selmani
Foto: EUICC

DREAM PALACE – është i pari ilustrim që të pret në hyrje të ekspozitës. Një pallat i ëndrrave, apo një pallat ku veç ëndrra nuk ka. Megjithatë nëntë ilustrime brenda ekspozitës të ftojnë drejt rrugëtimit nëpër një ëndërr me tulla ndërtimi, me burra e gra që marrin rreze dielli të mërzitshme dhe me hapësira gjelbrimi të cilat proporcionalisht janë më të vogla në hartat e qytetit të Prishtinës në krahasim me betonin e ndërtimet me leje a pa leje.

Yll Xhaferi është artisti që mbrëmë hapi në Prishtinë ekspozitën “Scrolling”.

“Scrolling – sikur scrolling kur kalojmë nëpër faqe të ndryshme interneti por edhe scrolling – kur vetëm shikojmë imazhe që na shfaqen para nesh, herë me përmbajtje herë jo” tregon Xhaferi për KultPlus. Ekspozita është hapur në Qendrën Kulturore dhe Informative të Bashkimit Evropian, një hapësirë e cila po i kthehet në një mënyrë ekspozitave me pikënisje punimet e Xhaferit, pas një pushimi të shkurtër.

Secili ilustrim duket si një poezi e përkthyer: gjethe të gjelbërta në tokë – herë të shkelura prej njeriut e herë jo: një burrë po e bartë me vete mbi po këtë tokë të gjelbër një ndërtesë me tulla – një simbolikë se si qytetin e rëndë e të pahije e bartim ndoshta të gjithë ne mbi supe: një familje po merr pushim prej punëve të përditshmërisë për të kërkuar qetësinë ku pamja janë tri tulla të tjera të kuqe. Jo larg saj, në hapësirën e ekspozitës gjethet janë bashkuar për të formuar një si flutur, apo insekt të madh që i rri mbi qytetit.

Vjosa Berisha nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian e mirëpriti artistin Yll Xhaferi duke treguar se një ekspozitë e tillë po vjen si fillim i realizimit të më shumë projekteve artistike në këtë hapësirë në kryeqytet.

“Jemi të nderuar me ekspozitën e Yll Xhaferit sonte në EUICC, një artist i cili është i njohur me ekspozita dhe pjesëmarrjet e tij nëpër organizime të ndryshme artistike por edhe si fitues i disa çmimeve artistike. Kjo ekspozitë shënon edhe fillimin e një serie të re të ekspozitave që do ti kemi në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Kosovë, si hapësirë për artistët e rinj dhe artistët që premtojnë” ka thënë në hapje Vjosa Berisha.
Xhaferi, në anën tjetër, e ka quajtur ekspozitën si një lundrim në disa peisazhe, në disa fragmente të qytetit, duke e lidhur çdo pamje edhe me ndikimin që ajo ka në përceptimin dhe në gjendjen mendore.

“Ky është një prezantim modest, me ilustrime, të cilat unë mendoj se janë medium pak i lënë anash në Kosovë. Është hera e parë që po i ekspozoj këto ilustrime, që vijnë në formën e kartolinave. Kjo pjesa e arkitekturës në ekspozitë, e ndërtimeve, për mua ka shumë rëndësi sepse mendoj që luan rol të madh në përceptimin estetik. Është një simbolikë e asaj që gjatë gjithë kohës diçka është duke u ndërtuar, dhe ne duket se tërë kohën jemi duke pritur diçka” tregon për KultPlus Xhaferi.

Xhaferi është artist vizuel nga Prishtina. Ai ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe ka përfunduar studimet për master në drejtimin e Arteve Pamore. Xhaferi është fitues i çmimit Artistët e së Nesërmes nga Galeria Kombëtare në vitin 2012 dhe ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme të artit vizuel në qytet p.sh. Prishtina Mon Amour në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, Livrit – (si pjesë e SURF, kuruar nga Erzen Shkololli, Bienale Meditterana, Milano dhe Tirana dhe ekspozita e tij personale e titulluar Toy Story në galerinë e artit Motrat.

Ekspozita ‘Scrolling’ do të qëndrojë e hapur për një muaj në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme