9 Maj, 2019 - 10:30 pm
Një ekspozitë e madhe kushtuar artistes meksikane Frida Kahlo u hap kohët e fundit në Muzeun e Bruklinit në Nju Jork.
“Pamjet mund të mashtrojnë” është ekspozita më e madhe në Shtetet e Bashkuara në një dekadë që i kushtohet piktores ikonë. Piktura, vizatime, madje edhe veshjet dhe sendet personale të saj janë shfaqur në Muzeun e Bruklinit në një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri në mes të majit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mikhail Gutkin sjellë hollësitë.
Piktorja meksikane Frida Kahlo tallej me normat shoqërore të kohës së saj. Ajo ishte një ikonë e modës dhe një komuniste e përkushtuar, ishte gjithashtu me aftësi të kufizuara.
Në ekspozitën e Muzeut të Bruklinit, ka fotografi, vizatime dhe skica, rroba dhe sende të tjera personale nga shtëpia e saj në Meksiko Siti, të quajtur Casa Azul.
“Ajo duhet të ketë qenë një fëmijë shumë i vështirë për prindërit e saj, sepse ishte e lirë, ajo largohej nga shtëpia dhe shkonte në treg vetëm, e veshur me rroba meshkujsh”, thotë Carlos Olmeda, Drejtor Ekzekutiv i Muzeut Frida Kahlo në Casa Azul.
Piktorja u prek nga virusi i poliomelitit kur ishte e vogël. Ajo filloi të pikturonte kur ishte 25 vjeç, pas një aksidenti të rëndë automobilistik që e detyroi të qëndronte në shtrat për një kohë të gjatë.
Ajo ishte qendra e eksperimenteve të saj artistike. Kur Kahlo bëri një autoportret, ajo u përqendrua qëllimisht tek vetullat e trasha dhe të errëta.
“Paraqitja e fytyrave të saj të ndryshme ishte një pjesë shumë e rëndësishme e mënyrës se si ajo e shikonte veten. Sot mendojmë se është shumë moderne, gjë që e bën Frida Kahlo-n një personalitet tërheqës të artit, të gjithë e njohin atë, shumë njerëz kanë të njëjtat mendime dhe ndjenja si ajo”, thotë kuratorja e Muzeut të Bruklinit, Lisa Small.
Qyteti i Nju Jorkut ishte pjesë e rëndësishme e jetës së piktores Kahlo. Në vitin 1931 ajo erdhi në qytet për herë të parë, pasi bashkëshorti i saj, Diego Rivera, ishte ngarkuar me detyrën e krijimit të muraleve në Qendrën Rockefeller që sapo ishte ndërtuar.
“Asaj i pëlqente Nju Jorku dhe shumë gjëra rreth qytetit, si filmat, asaj i pëlqente King Kongu, pastaj teatrot dhe muzetë. Ajo shkonte shpesh në Harlem. Por kjo ishte koha e Depresionit të Madh. Në mbrëmje ajo hante darkë me familjen Rockefeller ndërsa në mëngjes rrinte në radhë për të blerë bukë”, thotë Catherine Morris, kuratore në Muzeun e Bruklinit.
Fustanet e Frieda Kahlos ishin të frymëzuara nga traditat meksikane, të pazakonta dhe të ndritshme. Ajo donte të bafasonte të tjerët, por edhe të fshihte papërsosmëritë e saj fizike. Aksidenti automobilistik i shkaktoi dhimbje të rënda piktores, prandaj ajo mbante korse për ta lehtësuar atë.
“Njerëzit shpesh e quajnë atë delikate apo të dobët, por Frida Kahlo është ndoshta një nga njerëzit më të fortë që unë kam njohur. Ishte me aftësi të kufizuara fizike, dhe ky është një element i rëndësishëm i ekspozitës sonë.”
Bukuria, stili dhe pikëpamjet e saj të veçanta për botën, së bashku me kufizimet e saj, e bënë punën e piktores Frida Kahlo argëtuese dhe befasuese ashtu si ajo vetë./KultPlus.com